Aktualitet

Abuzim me tenderin 2.2 mln euro! GJKKO pezullon nga detyra kreun e KPP, Jonaid Myzyri lihet në 'detyrim paraqitje'

Së bashku me Myzyrin janë edhe 10 të tjerë të marrë të pandehur nga SPAK për këtë tender

F.I
Abuzim me tenderin 2.2 mln euro! GJKKO pezullon nga detyra kreun e KPP, Jonaid
Jonaid Myzyri

TIRANË-Gjykata e Posaçme ka vendosur masë sigurie ndaj kreut të Komisionit të Prokurimeve Publike Jonaid Myzyri, i cili u mor i pandehur nga SPAK. GJKKO ka pezulluar nga detyra Myzyrin, si dhe i ka caktuar masën e sigurisë detyrim paraqitje. Myzyri është duke u hetuar për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “falsifikim dokumentesh” në një procedurë prokurimi të ARRSH-së me fond mbi 219 milionë lekë, për mirëmbajtjen e rrugës që kalon nga Rrësheni në Shpal dhe zona të tjera përreth.

Gjatë shqyrtimit të procedurës së mësipërme, Komisioni i Prokurimeve në mënyrë të paligjshme ka favorizuar bashkimin e dy operatorëve ekonomike ku pas veprimeve hetimore ka rezultuar se kanë paraqitur dokumente të falsifikuar. Më datë 24 qershor kreu i Prokurimeve Publike u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK.

Së bashku me Myzyrin janë edhe 10 të tjerë të marrë të pandehur nga SPAK për këtë tender: 

Të pandehurit në këtë hetim janë:

Jonaid Myzyri- “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” 
Vilma Zhupaj- “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” 
Lindita Skeja- “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” 
Merita Zeqaj- “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” 
Enkelejda Bega- “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” 
Vladimir Hodaj- “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” 
Marjana Hasani-“Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” 
Gerald Adhiaj-“Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” 
Ardian Kaza- “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve
Ndoc Kulla- “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve
Mehdi Lala- “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, procedimi penal ka si objekt tenderin me numër reference REF-65268-07-13-2020, për mirëmbajtjen me performancë të segmentit rrugor Rrëshen – Shpal – Qafë Bene – Hadroj – Ura e Repsit, i zhvilluar nga ARRSH. Dosja lidhet me prokurimin e një rruge, më datë 18 shtator 2020, me një fond limit prej 219.8 milion lekësh (pa TVSH).

NJOFTIMI I SPAK:

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, në kuadër të procedimit penal 175/1 i vitit 2022*, me vendimin nr.61, datë 30.06.2025, ka caktuar masën e sigurisë ndaj shtetasit, Jonaid Myzyri, i cili mban detyrën e Kryetarit të Komisionit të Prokurimeve Publike, i dyshuar për kryerjen e veprës penale: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal, të cilit i është komunikuar akuza. Masa e vendosur përfshin “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, si edhe atë të sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka dërguar për ekzekutim vendimin, nr.61, datë 30.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

Objekti i këtij procedimi penal ka qenë procedura e prokurorimit, me nr. REF-65268-07-13-2020, “Loti V: “Mirëmbajtje rutinë me përformancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me fond limit 219.866.693 lekë pa tvsh, zhvilluar më datë 18.9.2020, me autoritet kontraktor Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH). Shqyrtimi i procedurës nga ana e autoritetit kontraktor ka pasur paligjshmëri, të cilat Komisioni i Prokurorimit Publik nuk i ka marrë në konsideratë.

Gjatë shqyrtimit të ankesës të procedurës së mësipërme, ky Komision, në kundërligjshmëri ka favorizuar bashkimin e operatorëve ekonomik; A.M., dhe D.-1., ku pas veprimeve hetimore ka rezultuar se kanë paraqitur dokumente të falsifikuara. Për këtë procedurë prokurimi janë marrë si të pandehur: Jonaid Myzyri, Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj ,Enkelejda Bega, Vladimir Hodaj , Gerald Adhiaj, dhe A.H., të dyshuar për kryerjen e veprës penale: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe shtetasit; Mehdi Lala , Ndoc Kulla, dhe Ardian Kaza , të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.

*Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë./ZËRI

Poll

MOS HUMB