
SHKODËR- Një 17-vjeçar ra në prangat e Policisë së Shtetit, ndërsa një tjetër u vendos nën hetim pasi u kapën me armë zjarri e sende të tjera të paligjshme. Të dy janë kapur me një sërë armësh zjarri, të llojeve të ndryshme dhe me disa doza kanabis. Të gjitha armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për të mësuar nëse janë përdorur më parë në ndonjë ngjarje kriminale. Megjithatë nuk dihet ende se ku po i dërgonin dy të miturit armët e zjarrit që kishin me vete.
Njoftimi i Policisë:
Vijon megaoperacioni policor i koduar “Sundimi i ligjit”, për goditjen e veprimtarive kriminale në çdo formë të shfaqjes së tyre. Malësi e Madhe/Posedonin armë, lëndë narkotike dhe sende të tjera të kundërligjshme, arrestohet një 17-vjeçar dhe procedohet penalisht një 16-vjeçar. Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu, municion luftarak, 1 maskë dhe një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Në zbatim të planit kombëtar të masave të koduar “Sundimi i ligjit”, për goditjen e veprimtarive kriminale, si dhe për garantimin e sigurisë dhe të drejtave të shtetasve, Policia e Shkodrës ka vijuar kontrollet, sigurimin e inteligjencës informative dhe bashkëpunimin me qytetarët. Në këtë kuadër: -shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe vunë në pranga një 17-vjeçar dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 16-vjeçar, pasi dyshohet se posedonin 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu, 23 fishekë luftarak, 1 maskë dhe një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa, të cilat u gjetën dhe u sekuestruan nga shërbimet e Policisë. Arma e zjarrit dhe sendet e tjera do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertizë të mëtejshme./ZËRI