
TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur zyrtarisht hetimet për çështjen e "21 janarit". Hetimi që do të kryhet nga SPAK duhet që të zbardhë rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha; ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, Ndrea Prendit dhe të tjerëve të përfshirë në vrasjen e 4 protestuesve në bulevard. Sa i përket ngjarjes dhe hetimit nga SPAK, gazetari Artan Hoxha ka zbuluar se ekziston një dosje, për të cilën mediat nuk kanë dijeni, por që do të përfshihet në fashikujt e Prokurorisë së Posaçme. I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Hoxha tha se kjo dosje përmbante të dhëna që mund t’i nxirrnin probleme ish-kryeministrit të kohës, Sali Berisha. Sipas tij Prokurorit të çështjes iu ofrua një vend më i mirë pune për të hequr dorë nga dosja.
“Sot 21 janari, ata që hetojnë nuk kanë më hetim politik, kanë mbrojtje ligjore nuk i kërcënon më njëri Ekziston një dosje hetimore që është marrë vetëm me prishjen e provave të 21 janarit. Këtu do të ketë zhvillime. Prokurori që po hetonte e mblodhi prova që mund t’i nxirrnin probleme Berishës, kryeprokurori Adriatik Lala i ofroi një vend pune më të mirë prokurorit që merrej me çështjen, e emëroi si kryeprokur të Vlorës, i mori dosjen dhe ja mbyllën. Pra iu ofrua sheqer, i thanë ke një post më të mirë e hiq dorë nga kjo dosje. Kjo është një dosje që ne nuk kemi dijeni por do ti bashkohet fashikullit të SPAK”, tha ai.
Hoxha foli në lidhje me një material nga protesta e 21 Janarit, duke thënë se atë e ka parë vetëm familja e Aleks Nikës, i cili u vra në tubimin e para 13 viteve. Sipas tij disa njerëz të tjerë kishin shkuar më parë në familjen e Nikës dhe i kishin thënë se një tjetër person u kishte vrarë djalin. Ai zbuloi se personi në fjalë kishte qenë një i besuar i ish-kryeministrit Sali Berisha, por nuk ishte përgjegjësi për vrasjen e Aleks Nikës.
"Ata që kryen 21 Janarin ishin kujdesur të fshihnin provat. Pasi kam siguruar materialin e kam identifikuar nëse është origjinal. Për shkak të kontaktit me familjen e Aleks Nika, kisha një detyrim qoftë edhe moral që t’i shpjegoja babait të Aleksit që kishte një material të ri. Disa njerëz kishin shkuar më para në familjen Nika dhe i kishin treguar një foto të një personi tjetër, me detyrë komandant i rëndësishëm në gardë në 21 janar dhe u thanë djalin ua ka vrarë ky. Kjo ishte e rrezikshme, sepse flasim për një familje me traditë dhe origjinë nga veriu. Kjo mund t’i shtynte drejt hakmarrjes nëse s’do kishte veprim nga drejtësia. U thashë që informacioni nuk ishte i vërtetë. Personi në fjalë ishte njeri i besuar i Berishës, por nuk kishte lidhje. Unë dhe familjarët e Aleksit kemi folur në Prokurorinë e Tiranës dhe nuk kam pasur asnjë moment besim te prokuroria. Ndaj nuk e kam dorëzuar materialin. Kemi rënë dakord edhe me familjen që materialin e dorëzojmë vetëm në SPAK. Në momentin që do më thërrasë SPAK do e vë në dispozicion. 21 Janari nuk mund të hetohet për atë që ka ndodhur, por duhet një hetim shterues”, u shpreh ai.
Ndërkohë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsonit dhe Krimit të Organizuar, ka thirrur për të marrë në pyetje familjarët e Aleks Nikës, një prej 4 viktimave që mbetën të vrarë para kryeministrisë. SPAK ka thirrur për të marrë në pyetje në datën 22 Korrik, bashkëshorten dhe xhaxhanë e Aleks Nikës, të cilët do të paraqiten në orare të ndryshme. Ata do të merren në pyetje, si persona që kanë dijeni për hetimin, ndërsa pritet që të dorëzojnë në Prokurorinë e Posaçme dhe një audipërgjim të ditës së tragjedisë, ku garda merr komando në radio, për shkrepjen e armëve. /ZËRI