TIRANË- Të paktën 23 persona janë paraqitur gjatë ditës së sotme në Spitalin e Traumës pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës në kryeqytet. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë mes të lënduarve janë 17 efektivë policie një protestues i mitur një përfaqësuese e medias dhe katër kalimtarë.
Aktualisht, një efektiv vijon të marrë trajtim në urgjencën e Traumës, ndërsa përfaqësuesja e medias është shtruar për ekzaminime të mëtejshme. Ministria bën me dije se që prej 13 tetorit, 14 persona vijojnë të jenë të shtruar në spital dhe të marrin mjekim.
Ndërkohë në Qendrën Spitalore Universitare 'Nënë Tereza' janë paraqitur edhe pesë të lënduar të tjerë, dy efektivë policie dhe tre protestues. Vetëm njëri prej efektivëve vijon të marrë shërbim mjekësor në urgjencë.
Njoftimi i plotë
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, informon se gjatë ditës së sotme në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor 23 të lënduar:
17 efektivë policie
1 protestues (i mitur)
1 përfaqësuese e medias
4 kalimtarë
Aktualisht në urgjencën e SUT po merr trajtim 1 efektiv policie, ndërsa përfaqësuesja e medias është shtruar për ekzaminime të mëtejshme, gjendja shëndetësore është e mirë.
Nga data 13 tetor e në vijim, numri i personave të shtruar në spital dhe që vijojnë të marrin mjekim ka arritur në 14: 5 efektivë, 4 protestues, 4 kalimtarë dhe 1 përfaqësuese e medias.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 5 të lënduar:
2 efektiv policie
3 protestues
Aktualisht, vetëm njëri prej efektivëve vijon të marrë shërbim mjekësor në urgjencë, ndërsa personat e tjerë janë larguar pas marrjes së këshillës mjekësore.
MSHMS shpreh mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë mjekët, infermierët dhe ekipet shëndetësore, të cilët me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi po ofrojnë kujdesin e nevojshëm për çdo të lënduar, ndërsa mbetet e angazhuar në misionin e saj të përhershëm për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve, duke garantuar kujdes shëndetësor me përkushtim, pa dallim dhe në çdo rrethanë./ZËRI