ITALI- Një aksident tragjik në një zonë pyjore pranë Bolonjës i ka marrë jetën një 35 vjeçari shqiptar. Viktima është identifikuar si Shkëlzen Pali i cili prej disa vitesh jetonte dhe punonte në Itali.
Ngjarja ka ndodhur në pyjet e Rasorës ku shqiptari ndodhej bashkë me një koleg dhe po merrej me prerjen dhe transportimin e pemëve. Për zhvendosjen e trungjeve në terren përdorej një teleferik i lëvizshëm me kabllo.
Nga të dhënat paraprake të hetimit, dyshohet se aksidenti ndodhi në momentin kur mekanizmi i kabllos u vu në funksion. Kablloja, e cila ishte krijuar në formë laku mbi tokë dyshohet se kishte kapur këmbët e 35 vjeçarit.
Aktivizimi i mekanizmit bëri që kablloja të tërhiqej me forcë duke e goditur rëndë shqiptarin. Plagët e marra rezultuan fatale dhe ai nuk mundi të mbijetonte.
Pas ngjarjes, autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar me saktësi dinamikën e aksidentit dhe përgjegjësitë e mundshme lidhur me kushtet e punës dhe përdorimin e pajisjeve në zonën pyjore.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes së rëndë./ZËRI