
TIRANË- Leonard Fejzullahu, vëllai i Adrian Fejzullaut, i cili humbi tragjikisht jetën këtë të hënë pasi ra nga kati i shtatë i pallatit ku punonte ka hapur dyert e mortit ndërsa ka treguar dhe detaje nga ngjarja. Ai shprehet se e ka marrë vesh lajmin nga shoferi i ambulancës, i cili fillimisht i kishte thënë se është rëndë, ndërsa më pas i ka thënë se trupi është dërguar në morgun e Tiranës. Ai tregon se viktima ka punuar gjithë jetën në ndërtim ndërsa tek firma “Andi Konstruksion”, kishte pak ditë që kishte filluar punë.
Leonard Fejzullahu ka kërkuar drejtësi nga shteti në lidhje me ngjarjen ku i vëllai humbi jetën, ndërsa ka treguar dhe një bisedë që ka pasur me një person që është prezantuar si babai i pronarit të firmës së ndërtimit. Ai tregon se personi në fjalë i ka thënë se firma do të mbulojë shpenzimet mortore për 53-vjeçarin. Leonard Fejzullahu shprehet se nuk kanë nevojë për para, por për drejtësi. Sipas tij, në momentin që ka mbërritur në morg, nuk ka gjetur aty asnjë përfaqësues të firmës. Fejzullahu foli për Report Tv.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Si e mësuat ngjarjen?
Leonard Fejzullahu: Më mori në telefon shoferi i ambulancës nga telefoni i vëllait. Vëllai e kishte pasur telefonin në xhep, i kishin hapur telefonin dhe më kanë marrë mua. E kanë parë numrin tim pasi i kisha rënë më herët në celular. Gjithë jetën ka punuar në ndërtim por prej një jave punonte te ajo firma.
Pyetje: Ju thatë se ju thirrën dhe te morgu?
Leonard Fejzullahu: Më thirri shoferi i ambulancës e më tha është në gjendje të rëndë. I thashë a të vij te spitali? Jo më tha më prit në shtëpi. Erdhi më mori këtu, pastaj rrugën më tha se ka vdekur. Kur shkova unë e gjeta të vdekur, ishte bërë sallatë, hemorragji e brendshme.
Pyetje: A ishte i siguruar në punë vëllai juaj?
Leonard Fejzullahu: Këta thonë se gjoja ka qenë i siguruar, po ku ta dimë ne, ata ashtu thonë.
Pyetje: Çfarë kërkese keni?
Leonard Fejzullahu: Ne kërkojmë drejtësi nga shteti.
Pyetje: A tentuat të flisni me pronarin e firmës?
Leonard Fejzullahu: Pronarin e ka marrë policia. Ne shkuam dhe bëmë denoncimin te komisariati nr.4, pastaj pronarin e teknikun i ka arrestuar policia. I ati i pronarit na erdhi te shtëpia dhe na tha që i marrim ne përsipër shpenzimet. Jo, unë nuk kam nevojë për shpenzimet kam nevojë për drejtësi. Vëllai ka lënë gruan dhe nënën 80 vjeç. Nuk ia di emrin se nuk u prezantua, tha jam babai i pronarit të firmës. Tha do u mbuloj shpenzimet, i thashë nuk kam nevojë. Te morgu nuk kam gjetur asnjë person nga firma ndërtuese./ZËRI