TIRANË- Për të 68- ditë radhazi, qytetarët janë mbledhur sërish në protestë, duke u grumbulluar në sheshin “Skënderbej” dhe më pas duke marshuar drejt godinës së Kryeministrisë.
Me pankarta në duar dhe mes thirrjeve të ndryshme, protestuesit vijuan tubimin e tyre, duke përcjellë mesazhet e tyre gjatë marshimit.
Edhe këtë të enjte, një pjesë e protestuesve po mbajnë fjalime përpara Kryeministrisë, ndërsa protesta e 68-të do të mbyllet me marshimin e protestuesve në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Pesë kërkesat që kanë parashtruar qytetarët:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës./ZËRI