
TIRANË- Mëkati i familjes Pirraçi është që 15 vite më parë kanë marrë një overdraft tek Raiffeisen Bank. Sot, u kërkohen afro 8 milion lekë nga Final, një prej kompanive që nuk operon më në tregun shqiptar, pas një vendimi të marrë nga Banka e Shqipërisë.
Dosjet e Final dhe të Micro Credit Albania do të jenë nën menaxhimin e Bankës së Shqipërisë pasi Prokuroria e Tiranës lëshoi nëntë masa sigurie për përfaqësues të institucioneve mikrofinanciare dhe përmbaruesit privatë.
Vera Pirraçi tregon për ZËRIN se sot ka nënshkruar një kontratë me Finalin dhe çdo muaj është e detyruar të paguajë 100 mijë lekë të vjetra, e gjitha për një overdraft të prapambetur. Personi që e ka udhëzuar ka qenë Altin Voko, një emër që nuk figuron në listën e të ndaluarve nga autoritetet.
Por si mundet që një overdraft i tillë të kapërcejë çdo limit dhe të vendosë një familje në vështirësi e ta detyrojë atë ta paguajë 10 herë vlerën e marrë?
Intervista e plotë:
Jam Vera Pirraçi, me origjinë nga Burreli. Punoj në një fabrikë, pastruese. Jam 55 vjeçe.
Në çfarë viti bashkëshorti juaj ka marrë një overdraft në bankë, cila ka qenë vlera dhe si nisi më pas historia e problematikës që e vuani akoma sot?
Para 15 vitesh, ka shkuar dhe ka marrë 170 mijë lekë në bankë, tek Reffaisen Bank, se ishte në punë me siguracione. Nuk e ka paguar. Nuk ia kanë mbajtur rrogën atje tek puna. U zvarrit kjo punë. Më morën në telefon, shkova e paguajta dy-tre herë. Nuk e paguajta më.
Më thatë që overdraftin e ka marrë bashkëshorti juaj, me ç’të drejtë ju kanë kontaktuar juve dhe me ç’të drejtë ju është bllokuar paga juaj?
Se ai ka qenë shumicën e kohës në Greqi, nuk ka qenë këtu fare. Kam bërë kontratën unë që do t’i paguaj unë. Më morën prapë, pas disa vitesh, shkova tek zyrat aty tek treni, më thanë je 1 milion e gjysmë debitor. Bëra një kontratë, për të paguar nga 50 mijë lekë (të vjetra) në muaj. Edhe aty, i kam paguar dy-tre herë, nuk i kampaguar më se ashtu më erdhën punët e mia. Në janar më kanë bllokuar rrogën, jam interesuar, më kanë thënë je 6 milion e 650 mijë lekë (të vjetra), debitor. Kur kam shkuar e kam bërë kontratën, i kam kërkuar një javë dhe mezi i kam gjetur. Sikur të isha duke shkuar në Amerikë, jo në Tiranë. Vetëm më ka dalë një vajzë dhe më ka thënë, hidh firmën këtu. Tha ke 7 milion e 650 mijë lekë (të vjetra) debitor. Kishin shtuar edhe 1 milion lekë të tjera. Nuk jepte asnjë përgjigje, nuk jepte asnjë rrugëzgjidhje.
Kjo firma e fundit për çfarë u hodh?
Për të paguar nga 100 mijë lekë (të vjetra) muaj për muaj.
Për sa kohë?
Për një vit më ka thënë, pastaj do shohim e do bëjmë.
Në momentin që firmose kontratën tu zhbllokua paga?
Po.
Tani ua mbajnë automatikisht nga rroga këstin?
Jo, shkoj i paguaj vetë. I thashë asaj, mbaj 100 mijë lekë muaj për muaj nga rroga, mos të vij këtu. Tha duhet të paguash 100 mijë lekë paradhënie.
I mbani mend emrat e personave që keni takuar apo të zyrave ku keni shkuar?
Kam folur me një burrë, i thashë të lutem më oriento që të shkoj të bëjë kontratën se nuk e gjej dot. Tha do t’i them asaj gocës që të flasë me ty, nuk më ka dhënë asnjë përgjigje tjetër.
Po tani si keni ndërmend ta ndiqni si çështje?
Ku paguhen 8 milion lekë, hajde se unë sa të jem në punë do t’i paguaj, po më pas?
I ke pyetur që nëse të ndodh diçka, ke vështirësi ekonomike dhe mbetesh pa paguar ndonjë këst, çfarë ndodh me ju?
Nuk kam pyet asnjë, se ai burri thoshte për momentin nuk jam këtu, jam larg, jam këtu, jam aty. Nuk më jepte asnjë rrugëzgjidhje.
Ndjeheni të rrezikuar në këtë fazë?
Po, shumë, shumë të rrezikuar se i thonë 8 milionë lekë (të vjetra). Çfarë zgjidhje është kjo, kur për 170 mijë lekë të paguash 8 milion lekë?
Nëse do të bëheshin bashkë me ju edhe shumë qytetarë të tjerë, do të ishit e gatshme që të paraqiteshit në Prokurori të ngrinit një kallëëzim dhe të bënit një apel?
Po.
Çfarë apeli do t’i drejtonit sot shtetit shqiptar dhe institucioneve?
Ju lutem shumë, ju lutem shumë, ju lutem shumë, të paguajmë aq sa kemi marrë, jo sa të doni ju. Duket e padrejtë që po zhvasin popullin dhe po e shkatërrojnë totalisht.
Një ditë më parë, Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar llogari bankare në vlerë 10 mln € të 10 personave të përfshirë në skandalin e mikrokredive. Llogaritë bankare kanë qenë në emër të shtetasve: Arben Meskuti, Ernela Cuberi, Olsi Ibro, Elda Ibro, Albert Gega, Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi, Alketa Goxha, Jordisa Metaj, Edmond Mato, dhe subjekteve financiare ADCA shpk., Final shpk dhe “Micro Credit Albania” sha.
Aktualisht, janë afro 3500 kontrata kredish, që janë blerë të gjitha si hua të këqija pranë sektorit bankar nga MCA dhe Final, të cilat do të ristrukturohen dhe të vijojnë të paguhen nga qytetarët me këste në bankat ku i kanë tërhequr ato.
Banka e Shqipërisë njoftoi të gjithë qytetarët që kishin marrë kredi tek këto dy institucione, që të paraqiteshin dhe të plotësonin një formular ankese. Më pas, sipas Bankës së Shqipërisë, kreditë do të ristrukturohen dhe do të paguhen në bankat e nivelit të dytë, ku qytetarët i kanë tërhequr ato fillimisht.
Ankesa e qytetarëve mund të dërgohen në adresën e emailit [email protected], ku përfshihen të dhënat e qytetarëve, zyrën me të cilën kanë lidhur marrëveshje për të paguar paratë dhe objektin e ankesës së tyre. Megjithatë, kredimarrësit pyesin në rrjetet sociale të ZËRI-t, për afatet dhe çfarë do të ndodhë me rritjen e kamatvonesave dhe borxhit.