DURRËS- Prokuroria e Durrësit pritet të hapë sot 102 kontejnerët që ndodhen në zonën industriale të Porto Romanos, me qëllim verifikimin e përmbajtjes së tyre dhe përcaktimin nëse bëhet fjalë për mbetje të rrezikshme apo jo.
Nën masa të rrepta dhe një perimetër të gjerë sigurie, ekspertë të specializuar kanë mbërritur në zonën ku janë vendosur prej Tetorit të vitit të kaluar mbetjet.
Procesi po zhvillohet me kujdes maksimal, pasi dyshohet se për shkak të qëndrimit të gjatë, mbetjet mund të jenë ngurtësuar, duke e bërë marrjen e kampionëve më të ndërlikuar. Mostrat e marra do të dërgohen për analiza të detajuara në një laborator të specializuar në Itali, me qëllim përcaktimin e përbërjes dhe nivelit të mundshëm të toksicitetit.
Këto mbetje, që arrijnë në rreth 2100 tonë, janë në 102 konteinerët e sekuestruar me urdhër të Prokurorisë, pas kthimit të tyre në Portin e Durrësit nga Tajlanda. Kontejnerët janë magazinuar në venddepozitimin e Porto Romanos, në afërsi të EkoParkut.