
TIRANË- Gati 150 punëtorë të fasonerisë “Erman Alba” në Tiranë janë hedhur në rrugë nga pronari italian pa asnjë paralajmërim dhe kanë më shumë se dy muaj pa marrë pagat dhe siguracionet. Ndërkohë Giuseppe Civita është larguar drejt Italisë dhe nuk jep asnjë sqarim mbi situatën. Për ZËRI-n, përgjegjësja e fasonerisë shprehet se ka tentuar të komunikojë me pronarin, por ky i fundit e ka lënë pa asnjë përgjigje. Ditën e fundit thotë ajo punonjëset kanë punuar për të ngarkuar kamionin me prodhimin e bërë gati, e që pas asaj ditë, fasonerisë i është vënë “dryni” dhe ato janë prerë në besë.
Intervista me përgjegjësen:
Edon Kuqi: Cili është problemei juaj dhe për çfarë e keni kërkuar sot praninë e ZËRI-t?
Përgjegjësja: Problemi jonë është se ne kemi që në tetor të 2023-shit pa paguar siguracionet dhe pa marrë rrogat. Ata as nuk komunikojnë më me ne. I dërgojmë mesazhe dhe ngelen pa përgjigje. Jemi këtu për ti kërkuar me forcë, që shteti të bëjë diçka për këto firma që pijnë gjakun dhe në fund të fundit të ikin punëtorët pa paguar dhe për të ia bërë të qartë atij që fajtor të mos na bëj neve se në një mesazh thotë që dhe ju keni një pjesë të fajit se nuk keni dhënë prodhim. Problemi filloi nga korriku i 2023-shit që filloi ti japë rrogat njëherë në dy muaj. Kemi marrë rrogat e shtatorit në 14 nëntor. Që nga ajo ditë tetori nëntori dhe gjysma e dhjetorit nuk është marrë.
Edon Kuqi: Kur u mor vendimi që të mbyllet fabrika?
Përgjegjësja: Dy ditë përpara që e nuhatëm që diçka nuk shkon dhe punëtorët lanë punën.
Edon Kuqi: Tha me 5 janar që do të rinisë puna dhe do të merrni pagat që janë të prapambetura dhe me 5 janar humbi çdo kontakt?
Përgjegjësja: Humbi çdo kontakt dhe kur i çoj ndonjë mesazh, i çoj 5 mesazhe dhe kthen një mesazh të shkurtër fare. Ai personalisht mua, përveç dëmit material, vetëm dëmin moral nuk ka si të ma paguajë se të gjithë këtë punëtorë më telefonojnë duke kërkuar rrogat dhe unë as gjumë nuk flej. Na flaku në rrugë. Lekun nuk ta fal njeri. Është djersë, se deri ditën e fundit kemi çuar kamionin, vrap, vrap, shpejt, shpejt sa çuan kamionin e mbyllën firmën. Është një pabesi e jashtëzakonshme.
Ndërkohë dhe punonjësit shprehen se kanë deri në 3 milion lekë pa marrë. Të vetmen zgjidhje shohin vetëgjyqësinë, por dhe kjo sipas tyre, do i dërgonte në burg, ndërsa pronari do vijonte i lirë.
Intervista me punonjësit:
Edon Kuqi: Çfarë kërkoni sot?
Punonjësja 1: Lekët kërkojmë.
Edon Kuqi: Sa muaj keni pa marrë?
Punonjësja 1: Dy muaj si të gjithë punëtorët. Kam mbi 900 mijë.
Edon Kuqi: Po ju zonjë?
Punonjësja 2: Edhe unë, 1 milion e ca.
Punonjësja 3: Unë me gjithë djalin këtu kam 2 milion e gjysmë lek pa marrë.
Punonjësja 4: Të jesh me kontratë e të flakësh në rrugë mbi 200 punëtorë, nuk e di a ka zot ta vrasë atë person. Kemi lënë fëmijët e vegjël në shtëpi, pleqtë. Më vjen ti vë bombën kësaj ndërtese.
Punonjësja 5: Unë kam 7 vjet këtu, kemi ardh me mish e me shpirt duke punuar zvarrë e kur vjen puna mos të marrë lekun tënd, djersën tënde. Atë dite kur ka ikur kamioni kemi punuar si qeni. Duam lekët, siguracionet. Kemi 900 mijë lekë pa marrë.
Punonjësja 6: Ma ka ngrënë djersën. Kalamajtë me temperaturë i kemi lënë në shtëpi e kemi ardhur të punojmë.
Punonjësja 7: Na ka rënë si bombë. Të punosh me djersë e në fund mos të vlerësojë, vetëm ai e ka bërë këtë gjë.
Punonjësi 8: Dua pagën time, djersën time.
Punonjësi 9: Kam gati 3 milion lekë pa marrë. Kam biseduar me drejtorin e firmës italian dhe më ka thënë nuk kemi lekë të japim. I kam thënë nëse nuk ke lekë, unë të marr mallin dhe jemi të likuiduar. Më ka thënë se nuk ke asnjë llojë të drejtë të prekësh asgjë në fabrikë.
Edon Kuqi: Pronari italian është në Shqipëri apo ka ikur?
Punonjësi 9: Me sa di unë është në Itali. Atëherë iu drejtova Drejtorisë së Policisë për të bërë një kallëzim për lekët e mia. Policia më drejtoi tek Gjykata Civile. Gjykata më tha se duhet të marrësh avokat. Unë përveçse kisha 3 milion pa marrë, ne shtresë punëtore jemi, nuk kisha mundësi të marr avokat. Me vetëgjyqësi nuk e bëjmë dot. Nëse unë atij i marr mallin, vjen policia më fut në burg.
Pas kësaj situate ZËRI, iu drejtua Inspektoriatit të Punës, ndërsa dorëzoi kërkesa për informacion mbi situatën dhe në Ministrinë e Financave, të Ekonomisë dhe tek Krimi Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Tiranës. Misioni vazhdon…/ZËRI