
TIRANË- Në një dalje për gazetarët, ministri i brendshëm Taulant Balla, ka folur në lidhje me shpërthimin e fuqishëm që ndodhi në Lushnje, në një magazinë në ndërtim në pronësi të deputetit socialist Bujar Çela. I pyetur nga gazetarët në lidhje me hetimet e policisë, dhe akuzat se ngjarja po fshihet për të mbuluar përgjegjësinë e deputetit, Balla tha se kukuvajkat e politikës duhet të lënë institucionet që të bëjnë punën e tyre.
“Unë i kam bërë komentet e mia për ngjarjen, ku i kam kërkuar policisë dhe Prokurorisë, që të vazhdojnë hetimet. Rishpreh ngushëllimet e mia për familjen Hoxha. Më vjen mirë që janë identifikuar disa vepra penale dhe duhen hetuar thellësish. I kërkoj kukuvajkave të politikë të lënë Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë të bëjnë detyrën si duhet”, tha ai.
Gjatë ditës së sotme, policia e Lushnjes arrestoi shtetasin Leonard Gjini, i cili kishte marrë përsipër punimet në kapanonin në pronësi të deputetit Çela. Ky i fundit është akuzuar se ka devijuar nga leja e ndërtimit që kishte marrë për ndërtimin e kësaj magazine.
Por Gjini, nuk është i vetmi që do të gjykohet. Pasi të rikuperohet në spital, ndaj deputetit të PS-së, Bujar Çela do të nisë një proces gjyqësor, do të përballet me 3 akuza. Ai kishte marrë leje për ndërtimet, por vetëm për 1 vit. Megjithatë ato që po zhvilloheshin më 1 mars, ishin të jashtëligjshme dhe rezultuan fatale për Roland dhe Elidion Hoxhën.
Shpërthimi ndodhi në një kantier ndërtimi me konstruksion metalik të deputetit të PS Bujar Çela, ku shpërtheu një bombol me oksigjen gjatë ngritjes me vinç, duke lënë të vdekur vinçierin dhe djalin e tij.
Të plagosur mbetën 7 persona të tjerë, mes të cilëve edhe deputeti Çela i cili ndodhej në vendngjarje në momentin e shpërthimit./ZËRI