
SARANDË – Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin Stjar-Bajkaj. Tre adoleshentë të moshave 13-14 vjeç, duke udhëtuar me një makinë tip Benz kanë dalë nga rruga dhe kanë përfunduar në një përrua. Në vendngjarje kanë shkuar ambulancat e Sarandës dhe adoleshentët janë transportuar drejt urgjencës së qytetit bregdetar.
Identiteti i adoleshentëve nuk janë bërë me dije, por vetëm inicialet dhe mosha e tyre. Bëhet fjalë për: A.D.,14 vjeç; F.H., 13 vjeç dhe E.K., 14 vjeç.
14-vjeçari, i identifikuar me inicialet A.D është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Ai është intubuar, ndërsa dyshohet se ka një goditje të rëndë në kokë. Policia është në vendngjarje.
Njoftimi i policisë:
Sarandë/Informacion paraprak
Rreth orës 19:25, në afërsi të fshatit Bajkaj, Delvinë, dyshohet se një shtetas i mitur, duke drejtuar një automjet tip “Benz”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga.
Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar shtetasi që dyshohet se drejtonte automjetin dhe 2 shtetas të tjerë të mitur që udhëtonin në automjet (të moshave 13-15 vjeç), të cilët janë transportuar në spital dhe ndodhen në kujdesin e mjekëve. Policia ka bllokuar automjetin, i cili dyshohet se është në pronësi të babait të njërit prej shtetasve të mitur. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit./Zëri.ai/