
MESSINA – Një shqiptar në Itali ka ndërruar jetë, pasi u përfshi në një aksident, që rezultoi fatal për jetën e tij. Mbrëmjen e djeshme, në Poliklinikën e Messinës, shqiptari dha frymën e fundit. Ai ishte përfshirë në aksident mbrëmjen e së shtunës në autostradën A20, në zonën e Acquedolcit.
Burri, fillimisht i plagosur rëndë, iu nënshtrua një operacioni për prerjen e këmbës, por sërish nuk mundi t'i mbijetonte plagëve të marra në gjymtyrët e poshtme. Viktima ishte pasagjer në një furgon të marrë me qira, i drejtuar nga një sipërmarrës nga zona e Nebroidit. Ata po ktheshin nga puna në shtëpi.
Aksidenti ka ndodhur pranë zonës së njohur si Acquedolcit, ku furgoni është përplasur me një kamion, i cili ndodhej në anë të rrugës. Kamioni, që i përket një kompanie nga Agrigento, duket se ishte ndalur për një defekt. Pas aksidentit, 43-vjeçari është transportuar me urgjencë në Poliklinikën e Messinës me një helikopter, ku i është nënshtruar një operacioni të gjatë natën e së shtunës dhe të dielës.

Fatkeqësisht, lëndimet e tij ishin shumë të rënda, duke çuar në vdekjen e tij. Shkaqet e aksidentit janë ende duke u hetuar, ndërsa drejtuesit e dy mjeteve të përfshira, furgonit dhe kamionit, kanë pësuar lëndime të lehta. Ata janë trajtuar në spital dhe kanë dale prej andej disa orë pas aksidentit./Zëri.ai/