
TIRANË- Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, së bashku me drejtuesin e lartë të Guardia Di Finanza, Giampiero Carrieri, zhvilluan sot një takim me kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu. Gjatë takimit, ambasadori italian vlerësoi punën e KLSH në fushën e kontrollit financiar të institucioneve shtetërore. Alberti u shpreh se bashkëpunimi mes instuticioneve shqiptare dhe italiane do të vijojë të thellohet. Ambasadori italian e cilësoi rolin e KLSH-së si themelor në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Ju, zoti Kryetar, zini një vend delikat në strukturën dhe arkitekturën e shtetit, mbi të gjitha në dimensionin e negociatave për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku transparenca, rregullsia, saktësia, përgjegjshmëria dhe sistemi i llogarive publike luajnë një rol thelbësor”, u shpreh Alberti.
Kreu i KLSH theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke e konsideruar atë thelbësor për forcimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në bashkëpunimiN në fushën e kontrollit financiar, i cili është një aspekt kyç për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian./ZËRI