Aktualitet

Andia Pustina paraqitet në SPAK, do t'i komunikohet akuza rreth hetimit për privatizimin e ish-kompleksit Partizani

Sipas dëshmive të dhëna nga biznesmeni Fatmir Bektashi, Pustina ka luajtur një rol të rëndësishëm në përgatitjen e dokumentacionit, duke përfshirë aspektet juridike dhe financiare të kompanisë.

M.M
Andia Pustina paraqitet në SPAK, do t'i komunikohet akuza rreth
Andia Pustina

TIRANË- Andia Pustina është paraqitur sot (18 shtator) në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku do t'i komunikohet akuza në lidhje me hetimet që lidhen me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Ky zhvillim vjen pas komunikimit të akuzave ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, biznesmenit Fatmir Bektashi dhe Xhimi Begeja. SPAK ka vendosur të përfshijë në hetime edhe Pustinën, e cila konsiderohej si një nga figurat kyçe në biznesin “Home Plan”, një kompani e krijuar përmes një marrëveshjeje verbale mes Malltezit, Bektashit dhe Begeajt.

Sipas dëshmive të dhëna nga biznesmeni Fatmir Bektashi, Pustina ka luajtur një rol të rëndësishëm në përgatitjen e dokumentacionit, duke përfshirë aspektet juridike dhe financiare të kompanisë.

“Të gjitha aktet që lidhen me aktivitetin e shoqërisë “Homeplan” si nga ana financiare dhe juridike i kanë përgatitur Andia Pustina dhe unë vetëm i nënshkruaja. Dua të sqaroj se shoqëria “Homeplan” nuk ka pasur asnjëherë arkë dhe çdo gjë, çdo veprim financiar është kryer nëpërmjet llogarive bankare. Edhe tërheqja e dividentit kryhet në të njëjtën mënyrë. Edhe në lidhje me vendimmarrjet e shoqërisë “Homeplan” unë nuk kam ndonjë rol, pra që të shpreh mendim për vendimet e shoqërisë. Unë nuk kam marrë pjesë pra në procesin e vendimmarrjes por vetëm i nënshkruaja ato që përpilonte Andia Pustina. Për nënshkrimin e çdo akti që lidhet me shoqërinë “Homeplan” unë shkoj tek zyra e Andia Pustinës, që ndodhet përballë librit Universitar dhe i nënshkruaj aty. Mua me telefonon Andia për të vajtur dhe për të nënshkruar…” – ka deklaruar më parë Fatmir Bektashi.

Nga dosja e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është zbuluar se shoqërisë "Homeplan" i bëhet likuidimi nga Andia Pustina dhe studio "Pustina". Por, po Andia Pustina rezulton mikeshë e familjes Berisha dhe Malltezi, dhe madje edhe përpilon deklaratat e pasurisë për dorëzimin në ILDKPKI. Kjo ka ngriturr dyshime në vërtetësinë e dokumenteve që ajo ka çuar ndër vite në deklarimin e pasurisë së Berishës dhe familjarëve të tij. 

Ndërsa motra e saj, Laura Pustina, është personi që edhe përgatit kontrata të ndryshme apo akte në funksion të aktivitetit të zhvillimit të ndërtimeve por edhe të shoqërisë "Homeplan sh.p.k.", është e martuar me Andi Toman. Ky i fundit, sipas SPAK, gjatë kohës që Sali Berisha ka qenë në pushtet ka mbajtur postin drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar./ ZËRI

Poll

MOS HUMB