
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka caktuar datën 20 Nëntor për të shqyrtuar ankimimin e Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit për masat e sigurisë. Do të jetë gjyqtarja Iliriana Olldashi që do të shqyrtojë ankimet e të dy personave që janë nën hetim nga SPAK.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më 14.11.2023, regjistroi çështjen penale nr. 56 akti, datë 14.11.2023 regjistrimi, mbi ankimin e personave nën hetim S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal. Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtarja Iliriana Olldashi. Seanca gjyqësore jopublike është caktuar për më datë 20.11.2023, ora 09:00”, thuhet në njoftim.
Vetë Berisha tha edhe sot se nuk do të jetë i pranishëm në seancën në Gjykatën e Apelit që mbahet të hënën.
“Avokatët kanë autorizimin që të ndjekin çdo proces ligjor, në respekt të porosisë sime u paraqitën në Gjykatë, i dhanë mundësinë gjyqtares Gjoka që të shpëtonte fytyrën dhe ajo nuk pranoi”, u shpreh Berisha.
Si Malltezi ashtu dhe Berisha apeluan vendimin e masave të sigurisë arrest me burg dhe detyrim paraqitje.
/Zëri.ai