
LEZHË- Tre punonjësit e burgut të Shënkollit janë liruar nga qelia. Pas arratisjes së 49-vjeçarit Daut Laze, në pranga u vendosën punonjësit Gjin Ndoka, Mark Nikolli dhe Zhaneta Mella. Në seancën e sotme, para togave të zeza, ata bënë me dije se kanë qenë në krye të detyrës, por nuk e kanë kuptuar se 49-vjeçari ishte arratisur.
Gjyqtari i çështjes, Lirim Bulica vendosi në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Gjin Ndokën dhe Mark Nikollin; ndërsa Zhaneta Mella, punonjësja në sektorin e kamerave të sigurisë, u vendos në detyrim paraqitje.
Daut Laze është arratisur nga burgu i Shënkollit që në orët e para të 4 shkurtit dhe që prej asaj dite vijon që të jetë në arrati. I dënuari për dhunë në familje vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ndaj për kapjen e tij, Policia e Shtetit ka ofruar 10 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacione për kapjen e të arratisurit./ZËRI