
GJIROKASTËR- Ish-kreu i Kadastrës së Gjirokastrës, Florian Taçi është lënë në burg nga Gjykata pas arrestimit të tij për falsifikim dokumentesh. Po ashtu, "arrest me burg" është vendosur edhe për Alban Memishaj, ish-specialist i Kadastrës. Gjatë seancës së sotme, e cila ka zgjatur për gati 2 orë, u vendos që Taçi dhe Memishaj të vuajnë ditët e paraburgimit në burgun e Sigurisë së lartë në Bënçë të Tepelenës. Seanca e sotme e vlerësimit të masës së arrestit ka zgjatur një ore e gjysmë.
Prokurori Gazmend Frëngu ka renditur shkeljet ligjore të konstatuara gjatë momentit të arrestimit në flagrancë të Florian Taçit dhe Alban Memishes, i cili ka pasur pozicionin e hartografit të Kadastrës. Hetuesi pretendon se ka prova shkresore e materiale që provojnë se të dy të pandehurit e kanë cënuar sistemin kombëtar të Kadastrës duke dhënë çertifikata pronësie në shumë raste për pasuri të ndryshme të paluajtshme.
Gjyqtarja Entela Selmanaj dha vendimin për t’i lënë burg pa afat të dy ish-zyrtarët ndërsa hetimet po vijojnë./ZËRI