SARANDË- Radhë kilometrike janë krijuar në pikën doganore të Qafë Botës. Shkak për radhët, si gjithmonë është bërë pala greke, por kësaj herë për pasojë të arrestimit të 14 doganierëve që akuzohen për kontrabandë mallrash. Kështu, për shkak se doganierët nuk janë zëvendësuar, mungesa e tyre ka sjellë mbylljet e njësive të shërbimit në kufi duke shkaktuar radhë kilometrike dhe qindra qytetarë të bllokuar për orë të tëra në kufi.
Pala greke aktualisht operon vetëm me dy sportele dhe ka në shërbim vetëm 3 doganierë. Edhe pse pala shqiptare ka vënë në dispozicion tre sportele funksionale, sërish nuk ndihmuar në reduktimin e fluksit. Një tjetër zgjidhje që është gjetur është pezullimi i kalimit të automjeteve, të cilat duhet të kryejnë veprime doganore, por vijon normalisht kalimi i njerëzve dhe makinave private.
Dje, në doganën greke të Mavromatit u arrestuan 13 punonjës dhe drejtuesi i doganës për shkak se akuzoheshin për mitmarrje dhe abuzim me detyrën. Sipas mediave greke, hetimi ndaj tyre kishte filluar prej disa muajsh dhe janë kapur edhe biseda telefonike që vërtetojnë se doganierët ishin përfshirë në aktivitete të paligjshme, duke shmangur kontrollet në automjete dhe rimorkio, të cilat kalonin mallra kontrabandë nëpërmjet ryshfetit. Veprime që i kushtuan lirinë dhe vendin e punës. Por nga dje deri sot, asnjë prej të arrestuarve nuk është zëvendësuar dhe ende nuk ka një njoftim se kur do të ndodhë ky proces. Ndaj parashikohet që situata të jetë e tillë, me trafik të shtuar deri në emërimin e doganierëve të rinj./ZËRI