Aktualitet

Arrestohet i mituri që vrau 14-vjeçarin, postonte krenar me thikë! Sherri nisi brenda shkollës dhe të gjithë e injoruan

Martini ishte nisur i qetë si çdo ditë në shkollë. Por gjatë pushimit të gjatë u përball me bashkëmoshatarin e tij.

k.m.
Arrestohet i mituri që vrau 14-vjeçarin, postonte krenar me
Martin Cani dhe Mario Prelleshi

TIRANË- Një e shtyrë me sup u bë shkak për vrasjen e një 14-vjeçari brenda ambienteve të shkollës "Fan Noli". Përplasja mes Martin Canit dhe Mario Prelleshit ndodhi që të premten, por ishte anashkalur si një sherr banal mes shumë të miturve. As këta të fundit dhe as mësuesit nuk kishin denjuar që të njoftonin prindërit, për të parandaluar ndoshta ngjarjen e rëndë. Përkundrazi, u la në harresë!

E hëna erdhi shpejt dhe po aq shpejt ndodhi "ballafaqimi". Martini ishte nisur i qetë si çdo ditë në shkollë. Por gjatë pushimit të gjatë u përball me bashkëmoshatarin e tij. Të dy u përleshën dhe u ndanë nga oficerja e Policisë së shkollës. Edhe në këtë rast, oficerja ishte mjaftuar duke dëgjuar nga të dy palët se do të pajtoheshin dhe se e gjitha ishte një keqkuptim. Edhe me këtë sinjal të dytë, sërish asnjë prej prindërve nuk u njoftua. Po ashtu, nuk dihet nëse oficerja e shkollës i njoftoi apo jo drejtoreshën dhe mësueset kujdestare dhe se cila ka qenë dijenia e tyre lidhur me rastin.

Teksa të gjithë të rriturit luanin 'lojën' sikur nuk dinin dhe nuk kishin parë asgjë, Martini njoftoi mikun e tij për ta ndihmuar. Edhe Luis Meçe ishte po ashtu 14 vjeç, por kishte ardhur nga shkolla “Mustafa Qemal Ataturku” në Sauk deri tek zona e 9-katsheve për t'i ardhur në ndihmë mikut të tij. Të dy njiheshin prej vitesh pasi luanin se bashku tek ekipi i Dinamos U-15. Nga ana tjetër, Prelleshi kishte gjetur thikën. Sesi dhe kur, i mbetet Policisë që ta zbulojë!

Pas mësimit, të tre u ndeshën sërish dhe Martini u qëllua disa herë me thikë. Nga dëshmitarët që ka pyetur ZËRI, ngjarja ka ndodhur në derën e jashtme të shkollës dhe jo në një rrugicë qorre siç raportohet rëndon. Po ashtu, e gjithë skena është parë nga nxënësit që ishin ende brenda në shkollë. Si ka mundësi që asnjë mësues nuk ka parë nga dritarja të njëjtën skemë që panë të miturit? Si ndodhi? Por sipas asaj që kanë treguar të miturit, 14-vjeçari e goditi në fyt Canin, ndërsa shokun e tij e preu në brinjë. Teksa kanë tentuar ndoshta që t'i marrin thikën, Prelleshi kishte pësuar një prerë edhe vetë në kyçin e dorës, por pa asnjë rrezik për jetën. 

Përkundrazi, rrugës për në spital gjeti kohën që të postonte foto të plagës për të përditësuar të gjithë ata që e ndiqnin në rrjetin social "Snapchat". Dorën tjetër e mbante grusht si për të treguar triumfin e fitores së një beteje, krenar dhe aspak i dëshpëruar se sapo i kishte marrë  jetën shokut të tij.

Tani kemi një të mitur pas hekurave të burgut dhe asnjë përgjegjës. A mban ndokush përgjegjësi për atë që ndodh brenda shkollave? Sa të sigurtë janë të miturit sot? Kur një ngjarje e tillë ndodh në mes të Tiranës, pranë një zonë shumë të sigurtë ku vetëm pak metra më tutje ndodhet Prokuroria e Përgjithshme, ç'ndodh në zonat më rurale? Përveçse të drejtojmë gishtin tek i mituri, që po ka vrarë dhe do të marrë dënimin për atë që ka bërë, duhet të mendojmë për një zgjidhje më afatgjatë./ZËRI

Poll

MOS HUMB