
TIRANË- Zilja e orës 8.00 ka rënë edhe sot si çdo ditë në shkollën "Fan Noli", por Martin Cani nuk u ul në bankën e tij. Shokët e klasës i kanë kryer homazhe duke i ndezur qirinj krahas fotos së 14-vjeçarit në oborr. Adoleshenti u qëllua dje me thikë për vdekje nga një bashkëmoshatar, i cili tashmë është arrestuar nga Policia e Shtetit, edhe pse edhe vetë është vetëm 14 vjeç.

Ngjarja e rëndë që tronditi vendin ka ndodhur pasditen e djeshme. Të rinjtë ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit. Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr. Viktima, Cani kishte kërkuar ndihmë nga shoku i tij, Luis Meçe, i cili nga një shkollë tjetër kishte shkuar tek "Fan Noli". Kështu mes të treve nisi një konflikt që përfundoi me përdorimin e thikës. Sesi e kanë gjetur, fshehur ose futur brenda ambienteve të shkollës, kjo ende nuk është e qartë. Motivet për vrasjen mendohet se janë disa, nga përplasjet në rrjetet sociale tek ato për një vajzë, por me rëndësi është një jetë fëmijë humbi, kur mund të ishte paralajmëruar./ZËRI