
DUBAI- Julian Meçe është arrestuar sot në Dubai. Burime për ZËRI bën me dije se ish-anëtari i bandës së Durrësit është marrë në pyetje në Dubai lidhur me akuzën e ngritur ndaj tij, si porositësi i atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj. Meçe dyshohet se mund të jetë një nga porositësit e ngjarjes, pasi autorët kanë qenë me pagesë, dhe dyshohet se janë nga veriu i vendit. Por deri më tani nuk dihet se çfarë ka deklaruar ai gjatë marrjes në pyetje. Megjithatë sapo ka dhënë deponimet e tij lidhur me rastin, është lënë sërish i lirë.
Prokurorit Arjan Ndoja dhe personazhit të krimit, njohur si Rrumi i Shijakut iu bë atentat tre vite më parë, më 1 nëntor, ku mbetën të dy të plagosur, ndërsa shoferi i tyre Andi Maloku humbi jetën. SPAK dhe policia, pas hetimeve intensive kanë arritur ta zbardhin ngjarjen, duke zbuluar porositësit, ekzekutorët dhe bashkëpunëtorët. Përveç Meçes, organizatori i dyshuar i atentatit është Plarent Dervishaj, i cili gjithashtu ndodhet në Dubai. Mes të arrestuarve është edhe Ramazan Rraja, që dyshohet se ka siguruar kushtet për kryerjen e atentatit. Në pranga ka rënë Bashkim Haxhia, që më herët i ka shpëtuar një atentati.
Po ashtu në pranga ranë edhe agjenti doganor Marsel Deçka, i afërm i një anëtari të bandës së Durrësit, Genti Ndërjaku i cili i shpëtoi një atentati me snajper në shtator të 2022 në Durrës dhe Julian Pjetri. Policia në vendngjarje, ditën kur ndodhi atentati ka sekuestruar një armë zjarri, rreth 40 milionë lekë të vjetra dhe 50 kontrata shit-blerjes së pronave. Të gjitha këto dokumente janë duke u verifikuar. Për atentatin, më herët janë marrë të pandehur Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj. Por të dy i mohojnë pretendimet se kanë lidhje me ngjarjen. /ZËRI