Aktualitet

Merr fund arratia e “Sonit”! Arrestohet në Dubai Elson Reçi

Arrestimi i Reçit është kryer me qëllim ekstradimin e tij për t’u përballur me akuzat në vendlindje.

F.I
Merr fund arratia e “Sonit”! Arrestohet në Dubai Elson
Elson Reçi

DUBAI- Elson Reçi është arrestuar në Dubai. Elson Reçi i njohur ndryshe si “Soni” kërkohet nga autoritetet shqiptare si organizator i vrasjes së Preng Gjinit, një krim që është konsideruar si hakmarrje për vrasjen e xhaxhait të tij, Kastriot Reçi. Reçi u shpall në kërkim nga SPAK pas operacionit Metamorfoza 3, në Maj të këtij viti.Arrestimi i Reçit është kryer me qëllim ekstradimin e tij për t’u përballur me akuzat në vendlindje. 

Njoftimi i Policisë:

Bashkëpunimi i shkëlqyer me autoritetet e Emirateve të Bashkuara, çoi në arrestimin me qëllim ekstradimi të një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Bashkëpunimi shumë i mirë mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe ka mundësuar arrestimin e një shtetasi tjetër të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Falë punës profesionale të Interpol Tirana dhe bashkëpunimit me Interpol Abu Dhabi u bë i mundur arrestimi i shtetasit E. R. me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

E. R. ishte person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 15.05.2024, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurimit “arrest në burg”, për veprat penale "vrasje për gjakmarrje” e mbetur në tentativë, “sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “kultivimi i bimëve narkotike”, vepra këto të kryera në formë të veçantë të bashkëpunimi, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal” dhe "pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal".

Nga hetimi i kryer nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rezulton se E. R. ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e Preng Gjinit.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur për vënien para drejtësisë të të gjithë personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.

Atentati ndaj Preng Gjinit

Mbi urën e Nisharakut në Tiranë u tentua më 15 shtator 2020 eliminimi fizik i Preng Gjinit. Në makinën me të cilën udhëtonte i ishte vendosur një sasi tritoli 400 gramë C4, në pjesën e përparme, me shpërthim të kontrolluar në distancë. Atentati që atëherë u dyshua se lidhet me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve mes fiseve Reçi e Gjini. Preng Gjini ka qenë shoqëruar për vrasjen e Kastriot Reçit, që u ekzekutua me snajper në 27 janar të 2020. Në atë kohë, 5 vëllezërit e familjes Reçi, Tonin Reçi, Paulin Reçi, Martin Reçi, Alfred Reçi dhe Gjovalin Reçi kanë deklaruar para efektivëve të Policisë së Tiranës se nuk kanë gisht në atentatin me tritol që iu bë Preng Gjinit.

Dosja e SPAK

Sipas SPAK, Edison Reçi ka organizuar vrasjen e Gjinit me qëllim hakmarrjeje dhe ka rekrutuar si pjesë të grupit E.D., B.Xh. etj., të cilëve ju kishte premtuar një shumë të konsiderueshme parash me qëllim vrasjen e tij. Gjithashtu, sipas SPAK, Reçi ndihmohej nga Klodian Shahini, me detyrë me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, që i jepte informacion në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e Gjinit.

Pjesë nga njoftimi i SPAK: Hetimet kanë evidentuar ekzistencën edhe të një grupi tjetër kriminal të drejtuar nga shtetasi E.R. Ky shtetas me qëllim hakmarrje ka organizuar vrasjen e shtetasit P.Gj., ku në datën 15.09.2020, ky i fundit ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e shpërthimit me eksploziv të automjetit me të cilin udhëtonte. E.R., ka rekrutuar si pjesë të grupit shtetasit E.D., B.Xh. etj., të cilëve ju kishte premtuar një shumë të konsiderueshme parash me qëllim vrasjen e shtetasit P.Gj.. Shtetasi K.Sh., me detyrë me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal ndihmonte shtetasin E.R., duke i dhënë informacion në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e shtetasit P.Gj.

Kujtojmë se Shqipëria nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Dubain dhe ekstradimi i Durim Bamit dështoi. /ZËRI

Poll

MOS HUMB