
TIRANË- Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar se Ervin Mata është marrë peng nga Ervis Martinaj. I ftuar në "Opinion", Hoxha tha se ngjarja ka ndodhur në orën 11:00 të paradites, pranë RTSH-së, në një zonë mjaft të populluar. Sipas gazetarit, Martinaj e ka futur Matën në një garazh të një qendre tregtare aty pranë dhe e ka kërcënuar. Ai i ka kërkuar që të tërhiqet nga një ndërtim që vazhdon edhe sot e kësaj dite në Tiranë, si dhe i ka ofruar 2 milionë Euro.
Pjesë nga biseda:
Artan Hoxha: Ka patur një ngjarje kur Ervin Matën e kanë marrë peng para RTSH dhe kjo ngjarje ka ndodhur në orën 11:00 të ditës. Është marrë peng nga grupi i Ervis Martinajt.
Blendi Fevziu: Si u mor peng?
Artan Hoxha: Në rrugë në anë të rrugës. Kanë dalë e kanë marrë e kanë çuar në një nga ata qendrat tregtare aty afër, në garazhdet e asaj. Është mbajtur për disa orë për çështjen e një ndërtimi shumë të madh në Tiranë. I është ofruar një pagesë 2 milion Euro që të tërhiqej si aksioner nga ai ndërtim që është duke u bërë aktualisht në Tiranë. Ai ka thënë që unë nuk kam lidhje me këtë punë sepse unë nuk jam vetë aty. Unë as nuk i dëgjoj të tjerët dhe as të tjerët nuk më dëgjojnë mua dhe në këtë rast nuk mund të përfshihem në këtë histori. Kjo ngjarje është bërë fiks në orën 11 paradite para RTSH, por nuk ka pasur hetim për këtë.
Blendi Fevziu: Në çfarë kohe ka qenë pak a shumë?
Artan Hoxha: Kjo ngjarje duhet të ketë ndodhur para plagosjes. Edhe plagosja ka qenë një pikë vlimi e disa incidenteve të mëparshme dhe ajo kulmoi me ngjarjen në bllok.