
LUSHNJE- Tre persona të plagosur nga shpërthimi në kapanonin në Lushnje, vijojnë mjekimet në spital. Sokol Lumi, Elton Korreshi dhe deputeti i PS-së, Bujar Çela pësuan dëmtime serioze pasi ndodheshin shumë pranë magazinës ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm.
Sakaq kryebashkiakja Eriselda Sefa deklaron se nga nesër do të nisë verifikimi i dëmeve në biznese dhe objekte. Hetimet për shpërthimin kanë nisur ditën e djeshme nga grupi i posaçëm i ngritur për ngjarjen, inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe prokurorja e Fierit së bashku me inxhinierët e OSHEE.
Paraprakisht dyshohet se shkak është bërë rënia nga lartësia e një prej bombolave të oksigjenit që po ngrihej nga vinçi.
Fillimisht u tha se shkak për shpërthimin që u ndje deri në Peqin ishte bërë kontakti i vinçit me telat e tensionit të lartë, por sipas specialistëve, gropat e krijuara në vendngjarje janë shkaktuar nga bombolat e oksigjenit. Megjithatë pritet një ekspertizë e detajuar në lidhje me mënyrën se si po bëhej montimi i bombolave të oksigjenit, por edhe distance që kjo magazinë që po ndërtohej kishte nga shtyllat e tensionit të lartë.
Si ndodhi shpërthimi?
Ngjarja ka ndodhur më 1 Mars rreth orës 16:05 në vendin e quajtur "Rrethrrotullimi i Plasmasit" në një kapanon në punim e sipër. Pak minuta pas vinçierit Landi Verçani (Hoxha), ka humbur jetën dhe djali i tij 20 vjeç Elidon Hoxha. Paraprakisht dyshohet se shkak për shpërthimin e fuqishëm është bërë rënia nga lartësia e një prej bombolave të gazit që po ngrihej nga vinçi. Të plagosur kanë mbetur 7 persona të tjerë, mes tyre deputeti socialist Bujar Çela, nënkryetari i Bashkisë Elton Korreshi. Dy prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë./ZËRI