
TIRANË- Gëzim Gjini, 30 vjeç banues në Lezhë është ekstraduar këtë të mërkurë drejt Italisë ku akuzohet për vrasjen me thikë të bashkëshortit të motrës së tij, Petrit Caka. Gjini u arrestua në një lokal në aksin Milot-Lezhë, në gusht të vitit të shkuar, ndërsa nisën dhe procedurat për ekstradimin e tij.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në dhjetor të vitit 2022 në Rocca Priora, Itali. Gëzim Gjini vrau me thikë bashkëshortin e motrës së tij në bashkëpunim dhe me dy persona të tjerë, mes tyre dhe motra dhe më pas u arratis. Në lidhje me këtë ngjarje Gjykata e Velletri, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje”, për të cilën Kodi Penal i Italisë parashikon deri në 30 vjet burgim.
NJOFTIMI I POLICISË:
Ekstradohet nga Shqipëria në Itali, 30-vjeçari që akuzohet se organizoi në dhjetor të vitit 2022, në Itali, vrasjen me mjet prerës, të bashkëshortit të motrës së tij. 30-vjeçari u arrestua në Shqipëri, në muajin gusht të vitit 2023, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “Infra Atlas”, i cili në atë periudhë zhvillohej paralelisht në disa shtete dhe koordinohej nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lion.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, u ekstradua nga Shqipëria në Itali, shtetasi G. GJ., 30 vjeç, banues në Lezhë. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Velletri, Itali, me vendimin e datës 17.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje”, për të cilën Kodi Penal i Italisë parashikon deri në 30 vjet burgim.
Shtetasi G. Gj. akuzohet se është organizator i vrasjes së bashkëshortit të motrës së tij, shtetasit P. C., vrasje e kryer me mjet prerës, në Rocca Priora, Itali, më datë 13.12.2022, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë./ZËRI