
LEPOSAVIC- 20 murgjë janë shoqëruar në Policinë e Kosovës pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar më grupin terrorist që vrau dje një efektiv dhe plagosi dy të tjerë. Murgjit e shoqëruar janë pjesë e manastirit të Banjskës ku ndodhi edhe shkëmbimi i zjarrit.
“Policia e Kosovës gjatë mbrëmjes së djeshme ka vijuar aksionin për gjetjen e grupit terrorist. 20 prej tyre u larguan nga manastiri i Banjskës. Janë shoqëruar 20 murgj në Drejtorinë e Policisë së Kosovës për hetimin dhe marrjen e shenjave të gishtërinjve se mund të kenë qenë bashkëpunëtorë dhe për të parë nëse ata kanë bërë të mundur fshehjen e këtyre armëve”, raportoi gazetari Julian Kasapi në A2 CNN.
Çfarë ndodhi dje në Kosovë?
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm kriminal në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vuri re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve.
Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës janë përballur me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre është qëlluar me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku, dhe u lënduan dy kolegët e tij.
Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.
Kosova e ka shpallur ditën e sotme një ditë zie kombëtare në nderim të efektivit Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës, ndërkohë që situata në veri të paktën mëngjesin e sotëm është paraqitur e qetë, me Manastirin e Banjskës që është nën kontroll nga policia e Kosovës, në të cilin u gjetën sasi të mëdha armësh dhe municioni. Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai