
LEZHË- Prokuroria e Lezhës ka marrë të pandehur 40-vjeçarin Leon Molla për veprat penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”. Molla, i cili prej vitit 2012 jeton në Francë, përmes disa videove ka bërë thirrje për heqjen e pllakatit të presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i vendosur në sheshin e qytetit Laç që mban po të njëjtin emër. Në vitin 2022, pas tërmetit, qeveria turke ndërtoi disa lagje dhe ndërtoi një pllakat për nder të Erdoganit.
Molla që prej atëhere ka bërë thirrje të vendosen lëndë plasëse në shesh për ta shkatërruar, pasi nuk mund të lejohen simbolet e një shtetit që dikur na ka pushtuar. Çështja e tij, i ka kaluar në dorë Gjykatës së Lezhës, ku i pandehuri do të gjykohet në mungesë sepse prej vitit 2012 ndodhet në Francë, ku dhe ka fituar azil.
Leon Molla në lidhje me këtë çështje tha për "Report TV" se ai i qëndron vendosmërisë së tij për të mbrojtur vlerat e shtetit Shqiptar dhe se nuk mund të lejohen në vend simbolet e një vendi tjetër që na ka pushtuar, si Turqia.
Ndërsa, çështjen ndaj tij ai e ka quajtur asburde, pasi ai po mbron të drejtat e kombit shqiptar. Molla është dënuar edhe më parë me 2 vite burg për “nxitje të urrejtjes”, pasi bëri thirrje për heqjen e flamurit turk nga diga e HEC-it në Mirditë. /ZËRI