Aktualitet

Kërkoi t'i hiqej masa e arrestit, Apeli i Posaçëm shtyn seancën për Berishën

Olldashi është akuzuar për konflikt interesi në çështjen e Malltezit, pasi ka blerë apartament në kompleksin e tij

E.K
Kërkoi t'i hiqej masa e arrestit, Apeli i Posaçëm shtyn
Sali Berisha

TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë seancën në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili kërkoi heqjen e masës së arrestit të shtëpisë. Gjyqtarja Ilirjana Olldashi e shtyu për nesër dhënien e vendimit për Berishën, pasi kërkoi më shumë kohë që të njihej me dosjen. Olldashi më herët ka lehtësuar masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin, nga arrest me burg në arrest shtëpie.

Gjyqtarja është akuzuar për konflikt interesi në çështjen e Malltezit, pasi ka blerë apartament në kompleksin e ngritur mbi truallin e ish-Partizanit.  Pas seancës së sotme, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj u shpreh se prokurorët i kanë qëndruar versionit të tyre të akuzave.

"Mbi bazën e autorizimit të marrë nga Kuvendi, ne, brenda afatit ligjor e ankimuam këtë vendim. Së pari, ai vendim është marrë pa u shqyrtuar, kërkesa e përjashtimit për gjyqtaren Irena Gjoka. Është shqyrtuar pas një jave, ndërkohë që ajo gjykatë ishte në dijeni të depozitimit në Postë të kërkesës sonë. Sigurisht që kjo e bën vendimin absolutisht të pavlefshëm. Ne sot parashtruam të gjitha shkaqet, por Gjykata e Apelit e rrëzoi kërkesën për administrimin e konstatimit të gjykatës së shkallës së parë për qenien tonë brenda afatit.

Është një shkelje e rëndë proceduriale që sjell pavlefshmërinë e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. Gjykata e shtyu për nesër.

Prokurorët sot mbajtën një qëndrim… Ne folëm dy orë e gjysmë, ata kishin tre minuta kontestim. I qëndruan kërkesës së tyre. Dje thoshin nuk paraqitet, sot thoshin është vepra e rëndë. Pra, një qëndrim variabël i tyre.

Ne presim vendimin. Vendimi për të mos e administruar sot dosjen e përjashtimit të gjyqtares Irena Gjoka është një shkelje shumë e rëndë e kësaj gjykate, e gjykatës së Apelit, çka përbën një përgjegjësi të madhe për gjyqtaren e çështjes, sepse çështja nuk mund të shqyrtohet në gjërësi, në objektivitet, në mënyrë të gjithanshme nëse nuk administrohen të gjitha provat, faktet dhe vendimet të cilat kanë lidhje me vlefshmërinë ose të jot ë vendimit të shkallës së pare”, u shpreh Gjokutaj.

Në kërkesën e dorëzuar më 15 janar, Berisha kërkoi nëpërmjet mbrojtjes që të lërë arrestin shtëpiak dhe të shkojë në parlament. Berisha ndodhet në arrest shtëpie që prej datës 30 Dhjetor. Gjatë ditës së djeshme Berisha u mor për herë të parë në pyetje nga prokurorët e çështjes, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, ndërsa përsëriti akuzat se SPAK vepron si grup kriminal për llogari të Edi Ramës.

Ndaj Berishës dhe dhëndrit të tij nuk është ngritur ende zyrtarisht një akuzë. Ai dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin u ndërtuan një grup pallatesh.

Duke shfrytëzuar pozitën e tij si kryeministër, sipas hetimit, ai dyshohet të ketë miratuar ligje dhe akte nënligjore duke i përshtatur sipas nevojave të ish pronarëve, dhe se përmes kontrolleve administrative është ushtruar presion ndaj strukturave shtetërore që të përshpejtonin procedurat si dhe vënien e këtyre strukturave në dispozicion të Malltezi për realizimin e privatizimit./ZËRI 

Poll

MOS HUMB