
TIRANË- Një 31-vjeçar është lënë në “arrest me burg” për trafikim armësh. Bëhet fjalë për Robenc Caka. Gjithashtu në vijim të megaoperacionit “Tempulli” janë ndaluar edhe dy shtetas të tjerë, që i siguronin armët 31-vjeçarit që ky i fundit më pas i shiste në kryeqytet. Artan Shaqiri e Muharrem Bega janë i siguronin armë Robenc Cakës.
Si u vunë në pranga të rinjtë
Kur agjentët e policisë ranë në gjurmë të tyre dhe donin të faktonin shpërndarjen e drogës, Robenc Caka i ofroi të infiltruarit dhe arme zjarri. Konkretisht një kallashnikov dhe një pistoletë me vlerë 1500 dhe 1200 euro.
Pas arrestimit, Rubenc Caka ka treguar se armët ua ka blerë Artan Sahqirit dhe Muharrem Begës. Policia ka dyshime se këtë tregti armësh Caka e ka kryer dhe më herët për interes të një grupi kriminal që operon në zonën e Yzberishtit.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, angazhim maksimal për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e implikuar në veprimtari kriminale.
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për një 31-vjeçar që trafikonte armë zjarri në qytetin e Tiranës.
Gjithashtu ndalohen dhe dy shtetas të tjerë, që i siguronin armët e zjarrit, 31-vjeçarit.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, një armë zjarri kallashnikov dhe sasi municioni luftarak.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, ndjekur me metoda speciale të hetimit, kanë ekzekutuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për shtetasin R. C., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u ndaluan shtetasit A. Sh., 24 vjeç, dhe M. B., 44 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasit A. Sh., dhe M. B., siguronin armë zjarri të cilat ia shisnin shtetasit R. C., dhe më pas ky i fundit i shiste tek persona të tjerë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë zjarri pistoletë, një armë zjarri kallashnikov dhe sasi municioni luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/ZËRI