Aktualitet

Bojkoti "ngrin" seancat, GJKKO "përgjigjet" me gjoba: 20-50 mijë lekë të rinj për avokatët e dosjeve 'Meta' e ARRSH

Edhe këtë të hënë, bojkoti ka penguar zhvillimin e tri seancave gjyqësore, ndërsa GJKKO është përgjigjur sërish me gjoba ndaj avokatëve që nuk janë paraqitur në gjykim.

zh.ll
Bojkoti "ngrin" seancat, GJKKO "përgjigjet" me gjoba:
foto ilustruese

TIRANË- Që prej shtatorit nuk janë zhvilluar gjyqet për shkak të bojkotit të avokatëve që kundërshtojnë rregulloren e GJKKO për ndalimin e telefonave celularë në sallat e gjykimit. Edhe këtë të hënë, bojkoti ka penguar zhvillimin e tri seancave gjyqësore, ndërsa GJKKO është përgjigjur sërish me gjoba ndaj avokatëve që nuk janë paraqitur në gjykim.

GJKKO gjobiti me 20 mijë lekë të reja secilin avokat në procesin që lidhet me një nga fraksionet e dosjes së Ilir Metës, ku janë të përfshirë Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku. 

Me 50 mijë lekë të reja janë gjobitur avokatët që munguan në seancën ndaj ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, dhe 20 të pandehurve të tjerë, avokatët që munguan u gjobitën me nga 50 mijë lekë të reja.

Ndërkohë që në seancën e çështjes "Partizani", ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, nuk janë vendosur gjoba ndaj avokatëve. Megjithëse seanca nuk mundi të vijojnë për shkak të bojkotit dhe u caktua data 26 tetor për seancën e radhës. 

Që prej datës 9 shtator, avokatët nisën të bojkotonin seancat gjyqësore dhe prej më shumë se një muaji në Gjykatën e shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është zhvilluar asnjë gjyq. Ndërsa me shumicë votashn, në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatisë, 23 shtator, u votua vijimi i bojkotit. 

Më 21 shtator, GJKKO gjobiti mbi 10 avokatë me nga 50 mijë lekë të rinj. Masa administrative erdhi në një kohë kur GJKKO ka bërë të ditur se rregullorja e re do të vijojë të zbatohet, duke e bërë të qartë se nuk do të tërhiqet. 

Rregullorja e re GJKKO-së hyri në fuqi më datë 1 shtator. Me ndryshimet e reja kufizohet numri i përfaqësuesve të mediave që mund të ndjekin një seancë gjyqësore, hiqet praktika e deritanishme që lejonte filmimin e minutave të para të seancave, ndalohet filmimi në korridoret e gjykatës dhe gazetarët do të duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim të paktën 24 orë përpara për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore. 

Gjithashtu, rregullorja e re ndalon mbajtjen dhe përdorimit e telefonave celularë, laptopëve dhe tabletëve brenda sallave të gjyqit për avokatët. Megjithatë në rregullore thuhet se: Prokurorët, të pandehurit, viktimat dhe avokatët që marrin pjesë në një seancë gjyqësore mund të mbajnë me vete dhe të përdorin vetëm kompjuterë portativë (laptopë) për ushtrimin e funksioneve të tyre procedurale, për aq kohë sa përdorimi i tyre nuk cenon rendin, solemnitetin ose zhvillimin e rregullt të seancës gjyqësore./ZËRI

Poll

MOS HUMB