
TIRANË – 59-vjeçari shqiptar me origjinë nga Peja, Princ Dobroshi, i kërkuar nga disa shtete europiane dhe i dënuar nga Gjermania me 15 vite burg, prej 1 jave ndodhet në burgjet shqiptare.
WebLajm mëson se Dobroshi është arrestuar mbrëmjen e 22 nëntorit në Tiranë nga agjentët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Ata ia kanë dorëzuar më pas Dobroshin Policisë së Tiranës, e cila prej 22 nëntorit s’ka bërë asnjë njoftim zyrtar.
Gjykata penale ka caktuar ndaj 59-vjeçarit masën e sigurisë 40 ditë paraburgim për efekt ekstradimi në Gjermani. Autoritetet gjermane kanë vlerësuar homologët shqiptarë për këtë operacion.
Po përse kërkohet ai?
Prokuroria ka argumentuar se ndaj të arrestuarit ka një mandat arresti ndërkombëtar nga gjykata e Hamburg me nr 162.gs1782/23, lëshuar më datë 6.9.2023.
Dënimi i caktuar është 15 vite burg për veprën penale “shkelje e ligjit për narkotrafikët”, sipas Kodit Penal gjerman.
Ndërsa mediat e Kosovës shkruajnë se Dobroshi është arrestuar për herë të fundit në Kosovë në 2019 dhe se kërkohej nga disa shtete europiane./Zëri.ai/