Aktualitet

Celularët do të "kyçen" gjatë mësimit/ Udhëzimi i Ministrisë: Kush shkel rregullin, përjashtohet

Dokumenti, që pritet të zbatohet në të gjitha institucionet arsimore parauniversitare, synon të frenojë shpërqendrimin e nxënësve dhe varësinë e tyre ndaj rrjeteve sociale, duke rikthyer vëmendjen tek procesi i mësimit.

zh.ll
Celularët do të "kyçen" gjatë mësimit/
foto ilustruese

TIRANË- Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit ka miratuar një udhëzim të ri me rregulla të rrepta për përdorimin e telefonave celularë në shkolla. Dokumenti, që pritet të zbatohet në të gjitha institucionet arsimore parauniversitare, synon të frenojë shpërqendrimin e nxënësve dhe varësinë e tyre ndaj rrjeteve sociale, duke rikthyer vëmendjen tek procesi i mësimit. Ministria e Arsimit synon me udhëzimin e ri që të krijojë një mjedis më të qetë dhe më të përqendruar në shkollë. Ministrja Ogerta Manastirliu ka sqaruar se vendimi nuk synon të përjashtojë teknologjinë, por ta orientojë atë drejt përdorimit të duhur

Celularët do të "kyçen" gjatë mësimit/
Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit

TELEFONAT E FIKUR

Sipas udhëzimit, përdorimi i telefonave brenda orës së mësimit është i ndaluar. Nxënësit do të kenë detyrimin t’i mbajnë pajisjet të fikura ose në modalitetin “silent”, pa mundësi për të telefonuar, dërguar mesazhe apo përdorur aplikacione sociale.

Telefoni do të lejohet vetëm në pushime dhe vetëm për komunikime të domosdoshme. Mësuesi është i vetmi që mund të lejojë përdorimin e telefonit gjatë orës, por vetëm nëse kjo shërben për zhvillimin e lëndës. Në çdo rast tjetër, mbajtja e telefonit të hapur apo përdorimi pa leje do të konsiderohet shkelje disiplinore.

Një nga pikat më të forta të udhëzimit lidhet me provimet. Ministria ka përcaktuar qartë se telefoni nuk lejohet të mbahet gjatë testimeve. Çdo nxënës që kapet me pajisje elektronike gjatë provimit, do të trajtohet si rast i kopjimit dhe do të përballet me masa që shkojnë deri në anulimin e provimit dhe penalizime të tjera disiplinore.

Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm nxënësit që kanë nevoja të posaçme shëndetësore, të cilët mund të përdorin pajisje të miratuara paraprakisht nga drejtoria e shkollës.

PËRSE KY VENDIM?!

Ministria ka vlerësuar se përdorimi pa kriter i telefonave ka ndikuar në cilësinë e procesit mësimor, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për nxënësit të përqendrohen tek lënda. Rritja e varësisë nga rrjetet sociale dhe aplikacionet digjitale ka sjellë rënie të nivelit të vëmendjes dhe ulje të rezultateve shkollore.

“Shkolla është vendi i dijes, jo i shpërqendrimit”, – thuhet në dokument, ku theksohet se teknologjia duhet të mbetet vetëm një mjet ndihmës, jo qëllim në vetvete.

Vendimi është pritur pozitivisht nga shumë prindër dhe mësues. Ata vlerësojnë se rregullat e reja do të ndihmojnë në disiplinimin e fëmijëve dhe do të forcojnë autoritetin e shkollës.

Sipas tyre, kufizimi i përdorimit të telefonave do të ulë presionin e vazhdueshëm të mesazheve dhe rrjeteve sociale, duke i kthyer nxënësit tek librat dhe aktivitetet tradicionale.

Poll

MOS HUMB