BOSNJE-HERCEGOVINË- Produktet ushqimore shqiptare nuk i shpëtojnë një tjetër skandali. Këtë herë lajmi vjen nga Bosnje-Hercegoniva, ku Agjencia për Sigurinë Ushqimore ka ngritur alarmin për pjeshkët e importuara nga Shqipëria. Mediat vendase bëjnë me dije se pjeshkët e importuara nga Shqipëria kanë rezultuar me përmbajtje të ndaluar pesticidi. Sipas mediave boshnjake, bëhet fjalë për praninë e pesticidit 'chlorpyrifos'. Kjo është një substancë aktive që nuk është në përputhje me Ordinancën mbi Nivelet Maksimale të Mbetjeve të Pesticideve në Ushqimet me Origjina Bimore dhe Shtazore. Përdorimi i tyre përbën rrezik për shëndetin, sidomos për fëmijët.
Agjencia e Sigurisë Ushqimore e Bosnjës dhe Hercegovinës paralajmëron se konsumi i këtyre pjeshkave nga fëmijët mund të tejkalojë ndjeshëm dozën akute të referencës së pesticidit, gjë që përbën një rrezik serioz për shëndetin. Chlorpyrifos, në doza të larta, mund të shkaktojë stimulim të tepërt të sistemit nervor dhe të çojë në të përziera, marramendje, konfuzion dhe në raste ekstreme, paralizë të frymëmarrjes dhe vdekje.
Presidenti i Shoqatës së Fermerëve, Nedžad Bićo, ka akuzuar institucionet që kontrollojnë importet e ushqimit, duke theksuar se përgjegjësia bie mbi ta.
"I konsideroj përgjegjëse të gjitha institucionet që janë përgjegjëse për kalimin e kufirit dhe hyrjen e mallrave, veçanërisht të produkteve ushqimore. Mallra të tilla rrezikojnë jetën e qytetarëve, por edhe prodhimin vendas. Pyesim veten se çfarë po bën inspektimi fitosanitar në kufij", tha Bićo. Ai paralajmëron se situata të tilla nuk vlejnë vetëm për pjeshkët.
Problemi më i madh tani, thekson Bićo, është se nuk dihet se ku përfunduan pjeshkët.
"Kush do ta monitorojë këtë tani? Çdo dyqan, çdo treg, çdo qendër tregtare duhet të kontrollohet. Do të duhet shumë kohë që kjo të kontrollohet. Nëse mallrat nuk janë në rregull, kjo duhet të përcaktohet në kufi dhe të kthehet, jo të vërtetohet më vonë. Deri atëherë është tashmë tepër vonë", thotë ai.
Si shembull të standardeve të dyfishta, Bićo përmend kontrollet rigoroze me të cilat përballen prodhuesit vendas gjatë eksportit. "Shoferët tanë të kastravecave të vegjël, luleshtrydheve ose kumbullave mund të qëndrojnë me ditë të tëra në kufirin e BE-së për inspektim, ndërsa këtu mallrat hyjnë kur të duan", shton ai.
Mediat boshnjake thonë se pjeshkët e kanë kaluar kufirin pa pengesa dhe kanë përfunduar në tregun e Bosnjës dhe Hercegovinës./ZËRI