CËRRIK -Qytetarë të Cërrikut kanë dalë këtë të hënë në protestë kundër reformës territoriale, duke kundërshtuar bashkimin e bashkisë së tyre me Bashkinë e Elbasanit.
Protestuesit të mbledhur në mbrojtje të Cërrikut si bashki më vete, kërkuan shpjegime mbi arsyet e këtij ndryshimi dhe argumentuan se qyteti ka funksionuar si njësi administrative më vete.
Gjatë protestës u rikujtuan edhe deklaratat e Kryeministrit, i cili më herët e ka marrë Cërrikun si shembull të mirëqeverisjes vendore.
Qytetarët deklaruan se protestat do të vijojnë deri në momentin që kërkesat e tyre të dëgjohen. Ata kërkuan gjithashtu që administrata vendore t’u bashkohet në mbrojtje të interesave të qytetit.
Në protestë ishin të pranishëm edhe deputetë të Partisë Demokratike, ndërsa protestuesit kërkuan reagim edhe nga deputetët e Partisë Socialiste për këtë çështje./ZËRI