TIRANË- Përfshirja e të miturve në protestat e ditëve të fundit dhe pretendimet për dhunë policore ndaj tyre kanë sjellë reagimin e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA–ECPAT Shqipëri) dhe Linjës Kombëtare të Ndihmës për Fëmijët (ALO 116-111).
Dy organizatat shprehin shqetësimin për trajtimin e fëmijëve dhe adoleshentëve gjatë tubimeve, duke kërkuar hetim të pavarur për çdo pretendim për dhunë, përfshirë rastet ku dyshohet se janë përfshirë persona me veshje civile, identiteti dhe autorizimi i të cilëve duhet të verifikohen.
CRCA dhe ALO 116-111 theksojnë se dhuna e ushtruar nga individë gjatë protestave nuk justifikon përdorimin e forcës së panevojshme apo joproporcionale ndaj qytetarëve, veçanërisht të miturve. Organizatat dënojnë gjithashtu sulmet ndaj punonjësve të policisë dhe dëmtimin e pronës publike e private.
Përtej kërkesës për mbrojtjen e të miturve dhe respektimin e të drejtave të tyre, organizatat i bëjnë thirrje Kuvendit dhe partive politike të ulen në dialog me të rinjtë protestues, duke paralajmëruar se kriza nuk mund të zgjidhet vetëm përmes ndërhyrjeve policore.
Deklara e plotë:
CRCA–ECPAT Shqipëri dhe ALO 116-111 vërejnë me shqetësim se fëmijët dhe të rinjtë nuk mund të paguajnë çmimin e mungesës së dialogut politik në vend! Ne i bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë dhe partive politike parlamentare që të gjejnë një zgjidhje të përbashkëta për krizën që po kalon vendi si dhe kërkesat e të rinjve e të rejave që po protestojnë anembanë Shqipërisë. Tiranë, 15 Tetor 2026 – CRCA–ECPAT Shqipëri dhe ALO 116-111 kanë marr gjatë ditës së sotme raporte nga media si dhe prindër, fëmijët e të cilëve janë dhunuar nga policia gjatë protestës së djeshme dhe të sotme, ndërkohë që persona të veshur civilë dhe pa devizën e Policisë së Shtetit, janë parë në disa video duke ndaluar adoleshentë në rrugë për t’i pyetur apo shoqëruar në polici.
Me anë të kësaj deklarate publike ne duam të dënojmë me forcë çdo formë të dhunës dhe intimidimit të fëmijëve, duke shprehur shqetësimin tonë të thellë për përshkallëzimin e situatës gjatë protestave të studentëve dhe të nxënësve në Shqipëri. Vetëm një ditë pas Thirrjes sonë Urgjente Publike për mbrojtjen e fëmijëve në protesta, mediat kanë publikuar pamje shqetësuese të dhunës apo të ndalimit të nxënësve dhe studentëve nga ana e policisë, ndërkohë që për shkak të përshallëzimit të dhunës ka patur të dëmtuar ndërmjet forcave të policisë.
Si ligji i brendshëm ashtu edhe standartet ndërkombëtare të nënshkruara nga shteti shqiptar, e konsiderojnë të papranueshme përballjen e fëmijëve me dhunë, frikësim apo trajtim poshtërues për shkak të pjesëmarrjes në protesta. Këto raste kërkojnë hetim të menjëhershëm dhe të pavarur, identifikimin e personave përgjegjës dhe transparencë të plotë nga Policia e Shtetit. Ne dënojmë gjithashtu aktet e dhunës nga protestues të caktuar të lëndimit të punonjësve të policies dhe të dëmtimit të pronës publike dhe private. Dhuna e disa individëve nuk justifikon përdorimin e forcës së panevojshme apo joproporcionale ndaj të tjerëve, veçanërisht ndaj fëmijëve.
Sidoqoftë shqetësimi ynë shkon përtej sjelljes së policisë. Mungesa e dialogut politik dhe shoqëror e ka lënë Policinë e Shtetit të përballet pothuajse e vetme me një krizë që nuk mund të zgjidhet me masa policore. Kur institucionet që përfaqësojnë popullin, si Kuvendi dhe Qeveria nuk krijojnë hapësira për dialog politik dhe shoqëror, atëhere rreziku i përshkallëzimit të dhunës rritet dhe besimi i të rinjve tek shteti dobësohet. Nisur nga kjo situatë e paprecedentë, që po rrezikon jetën dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri, CRCA–ECPAT Shqipëri dhe ALO 116-111 rekomandojnë marrjen e masave të mëposhtme: Hetim të pavarur të çdo pretendimi për dhunë policore ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve, përfshirë veprimet e personave me veshje civile, identiteti dhe autorizimi i të cilëve duhet të verifikohen.
Ndalimin e përdorimit të forcës së panevojshme dhe joproporcionale nga ana e Policisë së Shtetit, si dhe shmangien e përdorimit të gazit lotsjellës dhe mjeteve ujëhedhëse në zonat ku ndodhen fëmijë dhe adoleshentë. Garantimin e të drejtave dhe mbrojtjes ligjore të çdo të mituri të shoqëruar apo arrestuar, si dhe publikimin e të dhënave mbi fëmijët e lënduar ose të ndaluar, pa cenuar identitetin e tyre. Ndërhyrjen e menjëhershme të Avokatit të Popullit dhe institucioneve të mbrojtjes së fëmijëve për monitorimin e veprimeve policore dhe parandalimin e shkeljeve të mëtejshme.
Hapjen urgjente të dialogut politik dhe shoqëror nga ana e Kuvendit dhe partive politike parlamentare, me studentët dhe të rinjtë protestues, për të dëgjuar kërkesat e tyre, për t’i kërkuar llogari Qeverisë për dështimet e saj, si dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Të gjitha partitë politike parlamentare kanë për detyrë të kontribuojnë në zgjidhjen e kësaj krize që rrezikon statusin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ne u bëjmë thirrje gjithashtu organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protesta të shmangin çdo formë dhune dhe të mbrojnë sigurinë e fëmijëve dhe të qytetarëve të tjerë. Një shtet demokratik nuk mund t’u përgjigjet kërkesave të të rinjve vetëm përmes ndërhyrjeve policore. Dialogu është përgjegjësi e institucioneve politike, ndërsa mbrojtja e fëmijëve është detyrim i panegociueshëm i shtetit./ZËRI