Aktualitet

Denoncimi i pedagoges nga materniteti: Ka dy javë që mëngjesi nuk ndryshon, kosi është me listë

E shtruar prej dy javësh në maternitetin Mbretëresha Geraldinë, pedagogia ka ngritur shqetësimin mbi ushqimin që iu jepet grave shtatzënë

E.K
Denoncimi i pedagoges nga materniteti: Ka dy javë që mëngjesi nuk
Malvina Tafciu, vakti i mengjesit

TIRANË- Malvina Tafçiu, pedagoge dhe aktiviste, ka bërë një denoncim të fortë në lidhje me ushqimin që serviret në maternitetin 'Mbretëresha Geraldinë', ku prej disa javësh është e shtruar për shkak të një problemi gjatë shtatzënisë. Ajo ndodhet në javën e 27 të shtatzënisë, ku tregon se për dy javë me radhë në vaktin e mëngjesit është servirur i njëjti ushqim, pa u ndryshuar asnjë ditë. Kërkesa për një ushqim tjetër është e pamundur, dhe shumica e grave shtatzënë të shtruara detyrohen që të marrin ushqim nga familja e tyre.

“Jam mirë por më duhet të ndjek një regjim të rreptë shtrati. Para se të kaloj te çështja kryesore për të cilën po bëhet diskutimi, dua të bëj një apel për të gjithë shoqërinë. Ardhja në jetë e një foshnje është një mision më vete, duhen shumë duar për të realizuar këtë lloj misioni, unë nuk jam këtu për të etiketuar askënd, por duhen shumë duar, që nga ata që bëjnë planin e ushqimit, te Ministria.

Kam dy javë që jam e shtruar dhe për mëngjes hamë të njëjtin vakt, që është reçel, djath, një fetë bukë dhe një gotë qumësht. Në dy javë ky ka qenë mëngjesi dhe nuk ka pasur as edhe njëlloj ndryshimi. Kërkesa ime për vezën e zjerë ishte në formën e humorit. Me një kulturë minimale, të gjithë e dinë që mëngjesi është një prej vakteve më të rëndësishme, besoj se e shikoni vitaminat që ne marrim nga një vakt ushqimor. Vaktet janë standarde për të gjithë. Nuk ka asnjë lloj alternative për një grua që nuk e ha një ushqim të caktuar”, u shpreh Tafçiu në Euronews.

Nutriconistja e ftuar në studio, shprehet se vakti në fjalë lë vend për diskutim, dhe nuk mund të jepet e njëjta sasi për gratë që janë në stade të ndryshme të shtatzënisë. Ajo theksoi nevojën për larmishmërinë e dietës.

“Një mëngjes tjetër mund të ishte qumësht me drithëra, absolutisht që jo nuk mund të përdoret i njëjti ushqim çdo ditë, pasi fëmija rrezikon që të dalë alergjik, për shkak se nëna nuk ka provuar ushqime të caktuara. Duke qenë se nuk i njeh si shije përmes nënës, fëmija mund ti refuzojë këto ushqime ose të jetë alergjik”, u shpreh nutricionistja.

“Dreka dy pjata supë, dhe darka është pilaf me një pjatë supë, dhe makarona me një pjatë supë, mund të alternohet. Le të ndalemi pak te mishi, këtu është një kontigjent i madh njerëzish, unë personalisht nuk e konsumoj fare supën, dhe jam e detyruar që ta marr nga jashtë. Çdo tre ditë, sjellin qofte, pasi mishi nuk ka larmishmëri”, vijoi denoncimin e saj Tafçiu.

Ndërkohë që nutricionistja u shpreh se mishi duhet të jetë i pranishëm në të gjithë ciklin e shtatzënisë. Mishi sipas saj duhet të jetë viçi ose pule i gatuar shumë mirë. Tafçiu tha se askush nuk e ka pyetur në rast se ka alergji ndaj ushqimeve të caktuara, madje kosi vjen vetëm me listë për disa gra. 

“Mua s'më ka pyetur njeri a kam alargji. Në darkë janë disa gra që ju japin kos. Në fillim e përjetova shumë keq psikologjikisht në spital, pasi refuzova ushqimin. Megjithatë u thashë të më jepnin një kos meqë i ishte i paketuar. Përgjigja ishte se nuk ka kos për të gjithë, por vetëm për ata që janë në prag të lindjes”, vijoi denoncimin pedagogia.

Por çfarë ndodh me gratë shtatzënë që vijnë nga rrethet dhe nuk kanë mundësi që të marrin ushqime nga jashtë?

“Mirë unë që më plotësohen nevojat se kam familjen afër, po ka gra që vijnë nga rrethet dhe për 20 ditë nuk mund të jenë vizituar nga familjet e tyre. Ka pasur raste që kam pasur zonja në dhomë, që janë ndihmuar nga im shoq, për shkak se nuk kishin asnjë mundësi që të dilnin jashtë”, tha Tafçiu. 

Në Kosovë është hedhur ideja që në maternitetin publik të ketë një nutricionist, i cili të hartojë dietën e secilës prej grave të shtruara, në mënyrë që të marrin ushqimet e nevojshme, në varësi të stadit të shtatzënisë, por edhe intolerancave të ndryshme që ato mund të kenë.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB