Aktualitet

Dështon dita e parë e kalimit me pagesë në Thumanë-Kashar, Gener 2 rrit tarifën, qytetarët ‘piqen’ në diell për orë me radhë

Pas gati dy orësh pritje, në mungesë të stafit e konflikteve që kanë lindur mes drejtuesve të mjeteve e punonjësve në sportel për shkak të këmbimit valuator, sistemi i TOLL-it është fikur dhe automjetet kanë kaluar pa paguar asgjë.

E.K
Dështon dita e parë e kalimit me pagesë në
pagesat

TIRANË- Fillimi i kalimit me pagesë në autostradën e re Thumanë-Kashar, ka shkaktuar kaos në qarkullimin e mjeteve, në aksin që u përurua me bujë vetëm një javë më parë. Vonesa në sportele, por edhe rritja e kostos për kalimin nga sa ishte deklaruar fillimisht, shkaktoi paraditen e sotme një paralizim të qarkullimit të mjeteve, me një trafik që arrinte pothuajse 10 km, gjysma e gjatësisë së aksit.

Qytetarët u përballën me një situatë të papritur, edhe sa i takon tarifës që duhet të paguanin, e cila ndryshe nga sa u tha fillimisht se do të ishte 2.1 euro, sot ishte bërë 270 lekë. Kjo tarifë vlen vetëm për makinat e vogla, pasi autobusët dhe mjetet e tonazhit të rëndë do të paguajnë përkatësisht nga 650 dhe 900 lekë. Nëse kjo shifër do të shumëzohet me kalimin për 2 herë në këtë aks rrugor, kjo e bën këtë autostradë një prej më të shtrenjtave në rajon, duke marrë parasysh dhe distancën prej vetëm 21 kilometrash.

Pas radhëve të gjata, nën temperaturat përvëluese që kanë pushtuar këtë të hënë vendin, por edhe stafit të patrajnuar mirë, kompania Gener 2 u detyrua që të tërhiqte përkohësisht kalimin me pagesë, që më pas çoi dhe në zhbllokimin e trafikut që ishte krijuar.

Dhjetra qytetarë kanë denoncuar në rrjetet sociale, rritjen e tarifës për kalim, por edhe faktin e organizimit që linte për të dëshiruar në sportelet e pagesës, që më pas çuan në krijimin e radhëve, që përkthehen në më shumë kosto për qytetarët, edhe për sasinë e karburantit që duhet të shpenzojnë teksa presin të bllokuar.

Kompania Gener 2 që është edhe koncensionari i këtij aksi rrugor, nuk ka bërë asnjë sqarim në lidhje me problematikën e sporteleve, nëse janë apo jo në gjendje të përballojnën fluksin e shtuar, veçanërisht përgjatë sezonit veror, në një prej akseve më të rëndësishme që lidh veriun me jugun e vendit.

Por, çfarë çaloi në traun e vendosur nga kompania koncensionare Gener2 që për 35 vite do të përfitojë plot 1.56 miliardë euro?

Qytetarët kanë publikuar faturën ku shihet se kanë paguar 270 lekë në sportele, kur në fakt fillimisht nga ministrja Belinda Balluku u tha se tarifa do të ishte 2.1 euro. Bazuar në kursin zyrtar të këmbimit valuator në Bankën e Shqipërisë, sot 1 euro këmbëhet me 100.25 lekë, pra 2.1 euro janë afërsisht 215 lekë. Duke shtuar këtu dhe 20% tvsh, që është 43 lekë, tarifa totale që do të paguhet nga qytetaret është 258 lekë. Pra, qytetarët kanë paguar të paktën 12 lekë më shumë seç duhet. Si shpjegohet kjo gjë? /ZËRI 

Poll

MOS HUMB