
VLORË- Jorgo Goro, Kryebashkiaku në detyrë i Himarës është arrestuar teksa konsumonte një kafe në Dhërmi. Siç raportohet, Goro ishte ulur në kafene bashkë me disa miqtë e tij, ndërkohë që po vëzhgohej nga agjentë të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar. Në momentin që ai është ngritur nga karrigia, agjentët i janë afruar dhe i kanë vënë prangat. Të arrestuar bashkë me Goron janë dhe katër persona të tjerë, ermat e të cilëve nuk janë bërë ende me dije.
Goro mbeti në krye të Bashkisë së Himarës, pas arrestimit të të zgjedhurit, Fredi Beleri. Ky i fundit u dënua nga Gjykata e Posaçme me dy vite burg. Beleri është shpallur fajtor për 'korrupsion aktiv' në zgjedhjet lokale të 2023-it. Çështja e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri u kthye në arenë përplasjesh mes Tiranës dhe Athinës. Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli. Tashmë, me arrestimin e Goros, Himara ka mbetur zyrtarisht pa kryebashkiak.