KORÇË- Detaje të reja janë zbardhur nga vdekja e 78-vjeçarit Gëzim Vija në fshatin Bulgarec, të Korçës. Sipas burimeve pranë policisë, ngjarja e sotme nuk ka të bëjë me vdekje për shkaqe natyrore, por kriminale. Nga të dhënat paraprake, i moshuari është goditur në kokë, 2 të çara, me mjete të forta, ç'ka dyshohet se i ka shkaktuar vdekjen.
78-vjeçari Gëzim Vija, baba i katër fëmijëve jetonte i vetëm prej më shumë se 25 vitesh, është gjetur i pajetë brenda banesës së tij mesditën e sotme, në Bulgarec të Korçës.
Hetimet janë përqendruar në dy pista, atë të vjedhjes me pasojë vdekjen pavarësisht se në banesën e viktimës nuk janë konstatuar vjedhje të hollash apo sende me vlerë, dhe vrasja për motive të tjera. Megjithatë, do të jenë ekspertët mjeko-ligjorë ata që do të nxjerrin përfundimet zyrtare pas ekzaminimeve në morg.
Ndërkohë, në komisariat janë shoqëruar të gjithë familjarët dhe të afërmit e viktimës ku u janë marrë deklarimet për konflikte të mundshme. Për të zbardhur dinamikën, motivet dhe autorin/autorët, policia dhe prokuroria po përdorin metoda speciale hetimi./ZËRI