DURRËS- Këshilli Bashkiak i Durrësit zhvilloi sot mbledhjen e radhës, e shoqëruar nga debate të ashpra mbi rritjen e pagave për drejtuesit e bashkisë dhe menaxhimin e fondeve të rindërtimit. Ndërkohë që jashtë godinës protestonin banorët e prekur nga projekti TID, të cilëve u erdhën në mbështetje edhe banorët e Baks-Rrjoll.
Protestuesve iu bashkua edhe këshilltari Dritan Burgija, një nga dy të përjashtuarit nga PD. Po ashtu, edhe kolegu i tik Ardian Muka, i cili kishte kërkuar që përfaqësues të banorëve të merrnin pjesë në diskutime, por kërkesa nuk u pranua. Ndërkohë që lryetarja e Këshillit Bashkiak, Denisa Luarasi, siguroi se përgjigjet ndaj shqetësimeve të banorëve do të publikohen edhe online.
Në mbledhje, diskutimet u fokusuan kryesisht tek rritja e pagave për administratën dhe ndërmarrjet bashkiake. Opozita e kundërshtoi këtë masë, duke e cilësuar të papranueshme dhe duke kritikuar pagën e kryebashkiakes Emiriana Sako dhe stafit të saj. Megjithatë, opozita mbështeti rritjen e pagave për arsimtarët, stafet e kopshteve, policinë bashkiake dhe administratën e nivelit të ulët, por jo për administratën e lartë, duke theksuar se performanca e saj nuk ka treguar përmirësime.
Gjithashtu, u miratua rialokimi i rreth 714 milionë lekëve për fondet e rindërtimit për vitin 2026, megjithëse u shpreh shqetësim për vonesat në proces. Nënkryetari Gentian Kallmi deklaroi se shpërndarja e banesave vazhdon dhe shumica e familjeve kanë marrë tashmë çelësat e apartamenteve në lagjen e re Spitallë.
Me shumicë votash, u miratuan të gjitha pikat e lartpërmendura.
Projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn”, i njohur si TID Durrës, parashikon shpronësimin e 74 familjeve durrsake, për të cilin qeveria ka akorduar një fond prej 315.5 milionë lekësh. Banorët kundërshtojnë vlerën e shpronësimit, pasi sipas tyre, është e pamundur që me këtë vlerë të blejnë një shtëpi./ZËRI