DURRËS- Kryeministri Edi Rama ka folur për projektin që do të ndërtohet në ishullin e Sazanit, nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner. Sipas Ramës, Sazani ka qenë vetëm një zonë e mbrojtur nga ushtarët e Enver Hoxhës, dhe se investimi që do të bëhet nga Kushner është një nga më të rëndësishmit në fushën e turizmit.
Pa iu përgjigjur akuzave për procedurat që janë ndjekur në dhënien e këtij projekti, Rama ironizoi me opozitën, dhe për faktin që Trump është një prej kundërshtarëve më të mëdhenj të Soros, që flitet dhe si udhëheqësi i tij politik.
“Shikojeni se çfarë kemi arritur me turizmin, në një vend, ku deri përpara disa vitesh as që mund të gjendeshin 10 veta bashkë, që mos të të merrnin për të çmendur, po të imagjinoje se në Janar-Shkurt 2024 do të hynin në Shqipëri 1 milionë turistë të huaj. Nëse ky trend vazhdon atëherë 10 milionë turistët e vjetshëm, do të bëhen afro 14 milionë këtë vit. Dikur, për t’i bërë 1 milionë qeveria e mëparshme na numëronte edhe ne si turistë, sa herë hynim në Shqipëri pas daljeve jashtë shtetit. Po ata që numërojnë udhëtimet e mia me charter sot dhe bërtasin për miliona euro imagjinare të shpenzuara (edhe pse shpenzimet e mia për udhëtime i kushtojnë kryeministrisë më pak se sa ato të paraardhësit tim)kur ishin në qeveri, imagjinoni se sa turistë do kishin numëruar vetëm me vajtje-ardhjet e mija.
Këto ditë, Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndrri i ish-Presidentit Trump, shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri!
Po ata, që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillimet në turizëm, e për investimet e huaja direkte, sot po flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe!
Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur s’ka qenë kurrë përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës, që prisnin me dylbi zbarkimin e Flotës së Shtatë Amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë me rregull treshi, se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura.
Hija e ish-Presidentit amerikan dhe frika provinciale nga zemërimi i tij, - ju kujtohet si thonin atëherë kur u zgjodh për mua, por ja ku jam sot- i pengon ata më gojështhurrurit ti bashkangjiten këtyre zërave të lëshojnë rrufetë e akuzave e të shpifjeve në këtë rast, për mua djalin e paudhë të dalë nga thesi i parave të Sorosit, që kam hyrë në një mega-aferë korruptive me djalin për shpirt të armikut më të betuar të Sorosit!
Shyqyr xhanëm, se balta e hedhur mbi ata që vijnë nga jashtë kufijve të Shqipërisë, për të kontribuar në Shqipëri me fondacione apo me investime, e bën Shqipërinë të duket padrejtësisht qesharake në sytë e botës, siç janë qesharake akuzat e shpifjet e tyre për ta!
Por e vërteta që ka rëndësi në këtë mes, nuk është se sa pa lidhje janë këto alarme, për rrezikun që i kanoset natyrës shqiptare nga ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura apo nga zbarkimi në Sazan i firmës më prestigjoze të hotelerisë në botë, Aman Hotels&Resorts, e cila ka ndërtuar një duzinë strukturash në zona përrallore të UNESCO-s në Azi e në Lindjen e Mesme.
E vërteta që ka rëndësi në këtë mes është se Shqipëria, kampione e turizmit në rajon në 2030, nuk është një slogan për të ushqyer iluzionin e një të nesërmeje të ndritur, po një projekt gjeopolitik dhe ekonomik, që po formësohet me plane e masa konkrete, të cilat krijojnë hapësirën e mundur për këtë zhvillim historik. Sa për mbrojtjen e natyrës shqiptare, janë vetë njerëzit e zakonshëm të Shqipërisë, që e dinë më mirë se kushdo, se kush e mori në mbrojtje dhe kush e shkatërroi natyrën e vendit tonë, kush i ruan e i nxjerr në pah dita-ditës bukuritë e këtij vendi dhe kush e shëmtoi dhe mbuloi me plehra kudo që mundi trupin magjepsës të Shqipërisë’, tha Rama gjatë fjalës së tij.
Po ashtu sipas Ramës, kompania e Kushner ka eksperiencë në ndërtimet në zonat që janë trashëgimi e UNESCO-s, dhe se Shqipëria kampione e turizmit në Ballkan, në vitin 2030, nuk do të jetë thjeshtë një slogan.
/ZËRI