
MALI I ZI- Sergej Deviç, Kosta Dungjeroviç dhe Branko Vuksanoviç janë tre të arrestuarit e parë për sulmin ndaj shtetasve shqiptarë, ngjarje e ndodhur të shtunën në Hercegnov të Malit të Zi. Policia malazeze njoftoi se tre të arrestuarit janë nga fshati Zelenika në Mal të Zi.
Sergej Deviç, Kosta Dungjeroviç dhe Branko Vuksanoviç ndodhen në paraburgim ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë, pasi grupi që kreu sulmin dyshohet se përbëhej nga 8 persona.
Dyshohet se shkak përplasjes është bërë një debat mes të rinjve për radhën e daljes nga porti. Ndërkohë tre të rinjtë shqiptarë kanë deklaruar se nuk i kanë provokuar dhe sulmi filloi pa shkak. Po ashtu në dëshminë e tij, Klodjan Meaj, njëri nga tre shqiptarët e dhunuar deklaroi se në pasqyrën e makinës së tij mbante një flamur shqiptar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të mesditës së 6 janarit në zonën e Zelenika-s, pranë qytetit Herceg Novi, kur Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi po udhëtonin drejt Gjermanisë. Shqiptarët kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, pasi i kanë dëgjuar se flisnin shqip./ZËRI