
KOSOVË- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me gjendjen shëndetësore të dy serbëve të plagosur gjatë përleshjes me armë zjarri me Policinë e Kosovës pas ngjarjes së rëndë në fshtin Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy kolegë të tij. Mediat serbe shkruajnë se ata ndodhën jashtë rrezikut për jetën.
Drejtori i Klinikës për Ortopedi Gani Jashanica ka thënë se i lënduari është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka dy plagë.
Gani Jashanica: Ai ka dy plagë. I janë dëmtuar femuri dhe kërci, pjesa poshtë gjurit, por ai është në gjendje stabile. E vizitova sot. Do të qëndrojë edhe disa ditë në spital.
Ndërkohë serbi tjetër mësohet se i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Prishtinë për shkak të dy plagëve të marra. Sa i përket tre të vrarëve gjatë shkëmbimit të zjarrit mësohet se ata janë serbë nga Leposaviçi, të identifikuar me inicialet I.M dhe B.M dhe S.N nga Zveçani.
Çfarë ndodhi dje në Kosovë?
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vuri re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve. Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës janë përballur me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre është qëlluar me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku, dhe u lënduan dy kolegët e tij.
Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.Kosova e ka shpallur ditën e sotme një ditë zie kombëtare në nderim të efektivit Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës, ndërkohë që situata në veri të paktën mëngjesin e sotëm është paraqitur e qetë, me Manastirin e Banjskës që është nën kontroll nga policia e Kosovës, në të cilin u gjetën sasi të mëdha armësh dhe municioni. Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai