SHKODËR- Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 51-vjeçarin Prek Gjoni, pronar i rrjetit të marketeve ‘Xhedis’, i dyshuar se, bashkë me dy persona të tjerë, dhunoi dy ditë më parë gazetarin Ervin Dushi.
Sipas njoftimit të Policisë, Gjoni dyshohet se ka goditur fizikisht Dushin për shkak të detyrës së tij si gazetar. Materialet procedurale janë kaluar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër-Dhunoi fizikisht një 46-vjeçar (gazetar), për shkak të detyrës, kapet dhe vihet në pranga 51-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin P. Gj., 51 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.
Ky shtetas dyshohet se më datë 18.05.2026, rreth orës 20:00, në lagjen “Skënderbeg”, ka goditur me grushte shtetasin E. D., 46 vjeç, gazetar, për shkak të detyrës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Dinamika e ngjarjes mbetet ende e paqartë, por gazetari Dushi pretendon se dhuna lidhet me një denoncim që ai kishte bërë më parë në mbështetje të një punonjëseje të rrjetit të marketeve ‘Xhedis’, e cila kishte pasur një mosmarrëveshje me pronarin.
Sipas kallëzimit të tij, ngjarja ka ndodhur përpara supermarketit 'Xhedis', ku autori kryesor sipas tij është Prek Gjoni, i shoqëruar nga tre persona të tjerë.
Dushi rrëfen se incidenti ndodhi gjatë një takimi me pronarin, i cili ishte kërkuar më parë nga avokati i Gjonit për të diskutuar disa video të publikuara nga gazetari në media sociale. Sipas gazetarit, bëhet fjalë për video të dyshuara kërcënuese të pronarit të marketit ndaj një qytetari. Gazetari thekson se ishte paraqitur në mënyrë miqësore dhe pa mbrojtje, por u sulmua nga tre nga katër personat e pranishëm.
Pas sulmit, Dushi ka dorëzuar kallëzim në Policinë e Shkodrës, duke njoftuar se do ta ndjekë çështjen përmes rrugës ligjore./ZËRI
