Aktualitet

Diçka ka ndodhur në det! Veliera bosh në plazhin e Karpenit, brenda gjendet një armë, por jo 'kapiteni'

Pasi kanë hyrë brenda në mjet, Policia ka gjetur një armë zjarri “Walther”, 1 krehër pistolete, municion luftarak, 2 celularë, 1 laptop dhe dokumentet e mjetit lundrues.

k.m.

Diçka ka ndodhur në det! Veliera bosh në plazhin e Karpenit,

KAVAJË- Diçka ka ndodhur në det të hapur, por se çfarë mbetet të zbulohet nga Policia e Shtetit. Pasditen e sotme, Policia Kufitare ka pikasur një mjet lundrues, tip velierë që bënte lëvizje të pakontrolluara. Shërbimet e Policisë Kufitare e kanë ndjekur derisa veliera ka ngecur në rërë në plazhin e Karpenit. Pasi kanë hyrë brenda në mjet, Policia ka gjetur një armë zjarri “Walther”, 1 krehër pistolete, municion luftarak, 2 celularë, 1 laptop dhe dokumentet e mjetit lundrues.

Po ashtu, gjetën edhe pasaportën e një 85-vjeçari gjerman.

Mjeti ishte nisur nga Bari me destinacion Kroacinë dhe fillimisht çdo gjë ka qenë në rregull. Derisa në një moment, mjeti u pikas nga Guardia di Finanza që bënte lëvizje të çrregullta, ndaj edhe njoftuan autoritetet shqiptare që ta ndiqnin. Paraprakisht dyshohet se 85-vjeçari gjerman, pasaporta e të cilit ishte brenda në mjet mund të jetë pronari dhe ka rënë në det si pasojë e motit të keq. Por sërish, çështja po hetohet. Kjo pasi në të shkuarën këto mjete lundruese janë përdorur për trafik droge, por deri më tani duket se nuk ka që ky të jetë një rast i ngjashëm.

Tashmë kjo dosje po hetohet nga Prokuroria e Durrësit!

NJOFTIMI I POLICISË:

Kavajë

Shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë monitorimit të zonës bregdetare, kanë konstatuar një mjet lundrues veliere që bënte lëvizje të pakontrolluara, i cili më pas ka ngecur në rërë disa metra larg nga bregu, në territorin e fshatit Karpen. Pas këqyrjes paraprake, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Spille kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në bordin e mjetit lundrues. Gjatë kontrollit në veliere, janë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë tip “ëalther”, 1 krehër pistolete, municion luftarak, 2 celularë, 1 laptop dhe dokumentet e mjetit lundrues.

Gjithashtu, në mjetin lundrues, është gjetur një pasaportë gjermane me gjeneralitetet F. R., 85 vjeç. Nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n paraprakisht rezulton se mjeti lundrues është nisur nga Bari, Itali, me drejtim Kroacinë, fillimisht me lundrim normal dhe më pas me lëvizje të çrregullta. Grupi hetimor i ngritur për këtë rast po bashkëpunon me Interpol Tiranën, për verifikimin e të dhënave të pasaportës që është gjetur në mjetin lundrues, me qëllim sqarimin e rrethanave të këtij rasti dhe përcaktimin e vendndodhjes së poseduesit të pasaportës, i cili dyshohet të jetë drejtuesi i mjetit lundrues. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se drejtuesi i velieres mund të ketë rënë në det, për shkak të dallgëve të larta të shkaktuara nga moti i keq. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB