TIRANË- Pas më shumë se tetë orësh qëndrimi përpara Kryeministrisë, protestuesit janë larguar nga bulevardi 'Dëshmorët e Kombit' dhe kanë vijuar tubimin me marshim në rrugët e kryeqytetit. Studentë, pedagogë dhe qytetarë mbeten të vendosur në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protesta e ditës së nëntë nisi rreth orës 11:00 me pedagogët që u mblodhën të parët para godinës së qeverisë. Gjatë ditës, atyre iu bashkuan studentë dhe qytetarë të tjerë, ndërsa në mbrëmje numri i pjesëmarrësve u rrit sërish.
Tubimi nuk kaloi pa tensione. Gjatë pasdites, disa protestues hodhën gurë dhe bomba molotov në drejtim të pozicioneve të policisë, duke sjellë reagimin e forcave të rendit. Efektivët nxorën automjetin ujëhedhës dhe përdorën ujë në dy raste, por nuk pati një ndërhyrje të përgjithshme për shpërndarjen e turmës.
Krahasuar me protestën e së martës, kur në qendër të Tiranës pati përplasje më të forta dhe u përdor gaz lotsjellës, këtë të mërkurë situata mbeti më e qetë për pjesën më të madhe të tubimit, përpara episodeve të tensionit gjatë pasdites./ZËRI