TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpallur sot pretencën për ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj dhe ndërtuesin Rrok Gega.
Prokurori Bledar Meksuti kërkoi 3 vite burg për Islamajn, me kushtin që t'i konvertohet në 4 vite shërbim prove. Ndërsa për ndërtuesin Rrog Gega, u kërkua dënim me 1 vit burg me kushtin që të konvertohet në 2 vite shërbim prove.
Islamaj dyshohet se ka kryer veprën penale “korrupsion pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Rrok Gega për korrupsion aktiv.
Islamaj, në ushtrimin e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Tropojë, është përpjekur përmes një tenderi të hapur, të favorizojë ndërtimin e një ure në dobi të familjarëve të saj, konkretisht motrës së saj. Për këtë dosje, SPAK ka marrë të pandehur dhe biznesmenin Rrok Gega, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas SPAK, Islamaj planifikoi të angazhonte edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve, punonjës në Bashkinë Tropojë, për ta ndihmuar ndërtuesin. Edhe ndërtuesi ka pohuar se ky ndërtim nuk ka qenë në procedurat e tenderimit dhe ai do t’ia bënte dhuratë Kryetares së Bashkisë Tropojë. Ura megjithatë, nuk është ndërtuar.
Zyra Islamaj u komandua në krye të Bashkisë së Tropojës në shtator të vitit 2024, pas arrestimit të kryebashkiakut Rexhë Byberi./ZËRI