
TIRANË- Gjykata e Apelit ka vendosur që të shtyjë sërish vendimin për deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Arsye për shtyrjen ka qenë kërkesa e bërë nga përfaqesuesi ligjor i Jetimir Olldashit, Indrit Sefa, për përjashtimin e gjyqtares Iliba Bezati, kështu që seanca e radhës është vendosur që të shtyhet për në datë 24 prill, në orën 10.00. Shkak për kërkesën e përjashtimit është një artikull që ka shkruar Olldashi në median e tij për gjyqtaren e çështjes.
“Ka kushte njëanshmërie, pasi zoti Olldashi ka një portal dhe për zonjën Bezati ka bërë disa artikuj për gjyqtare dhe mund të ketë njëanshmëri në gjykim,”- ka thënë avokati Indrit Sefa. Por kërkesa ka ngjallur debat në sallë, për shkak se kërkesa për përjashtim nuk është bërë në momentin kur u mësua përbërja e trupit gjykues që përveç Bezatit, përbëhet edhe nga gjyqtari Genti Shala dhe relatorja Elona Toro.
BISEDA NË GJYQ:
Gjyqtarja Bezati: Kur e keni konstatuar për trupin gjykues?
Avokati: Tani.
Gjyqtarja Bezati: Kur tani?
Avokati: Unë konstatoj në momentin që gjykata tregon përbërjen e trupit gjykues.
Gjyqtarja Bezati: E ke konstatuar kur te ka ardhur flete thirrje?
Avokati: Nuk kam fletëthirrje.
Pas marrjes së vendimit për shtyrjen e seancës, deputeti Salianji ka dalë para mediave duke u shprehur edhe njëherë se ky është një gjyq politik, duke këmbëngulur edhe njëherë në pafajësinë e tij. Jashtë gjykatës, Salianji u shpreh se ai ka prova shkencore se denoncimi i tij është 100% i vërtetë.
"Ky është një gjyq politik për një denoncim nga ana ime për vëllain e ish-ministrit të Brendshëm. Do e shihni edhe në seancën tjetër dhe po iu them që ne kemi prova shkencore sesi është 100% i vërtetë i gjithë denoncimi i kryer nga unë. Besoj që do të kemi të gjithë kohën e mjaftueshme për seancën e datës 24. Unë nuk jam marrë me sulme personale ndaj Gjykatës, pavarësisht se ata që kanë marrë vendimet janë të shkarkuar nga Vettingu. Artan Gjermeni është në përgjimet e Prokrurorisë italiane. Pra këta janë personazhe që kontrollohen nga grupe kriminale që mendojnë se do më mbyllin gojën mua, besoj që është rasti i parë siç ju e shihni që një deputet hetohet nga një gjykatë e përgjithshme dhe jo nga SPAK. Po iu them edhe njëherë tjetër, pavarësisht siç ju e dini, unë besoj në integritetin profesional,"-tha Salianji.
Por Salianji nuk ishte i vetëm sot, në sallë bashkë me të, në mbështetje të tij kanë shkuar edhe një grup deputetësh demokratë si Gazment Bardhi, Agron Gjekmakaj, Ina Zhupa, Luan Baçi.

Ç’është dosja Babale?
Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin “Babale”. Në përgjimet e publikuara por edhe në të tjera që Prokuroria dispononte, Alizoti komunikonte me asokohe shefin e Polisisë së Fierit, Albert Nushin (emri i del edhe tek vrasja e Pjerin Xhuvanit) për shpërblime/pako që duhet të merrte, e gjithashtu flitej edhe për një “shef të madh”. Ekspertët e huaj vlerësuan se zëri në përgjime ishte i ngjashëm me atë të Geron Xhafës. Por ekspertiza nuk mund ta thoshte me siguri për shkak të cilësisë së audio-regjistrimit. Për dosjen, Salianji u dënua me 1 vit burg dhënë nga Gjykata e Tiranës në dhjetor të vitit 2019, pasi u shpall fajtor për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Ndonëse u dënua me burg, ai nuk shkoi ne qeli, pasi u hetua dhe gjykua pa mase sigurie. Vendimi i Shkallës së Parë për 100 orë punë në interes të publikut është ankimuar edhe nga i bashkëpandehuri në këtë çështje, gazetari Jetmir Olldashi./ZËRI