
TIRANË- 48 orë ishte në arrati vrasësi i efektivit të Policisë së Shtetit, Novruz Cenalia dhe do të kishte qëndruar edhe më shumë po të kishte pasur mjaftueshëm ushqim me vete. Pendesa gjithashtu nuk është një ndjenjë që 23-vjeçari e ka mbi shpatulla dhe këtë gjë më së miri e tregoi buzëqeshja që ai u dha kamerave teksa futej në makinë për të shkuar drejt prangave të Policisë. Por në Komisariat ka zbuluar edhe më shumë sesa mungesën e pendesës, duke u fokusuar tek arsyeja se përse e tërhoqi këmbëzën dhe e qëlloi për vdekje efektivin e Policisë së Shtetit.
Pasditen e të hënës, i riu po udhëtonte me shpejtësi në rrugët e fshatit Baltëz të Fierit dhe gati sa nuk u përplas me efektivin që po shkonte të merrte detyrën, si çdo ditë. I ndodhur përballë një paligjshmërie, efektivi i bëri shenjë që të ndalonte dhe të sy zbritën nga mjetet dhe shkëmbyen disa fjalë. Ndoshta efektivi i ka tërhequr vëmendjen për t'i dhënë më me shumë kujdes mjetit. E më pas u kthye për t'u futur sërish në makinën e tij.
Një moment që efektivi 28-vjeçar u kthye nga makina e tij, Azgan Mërnica nxori pistoletën dhe e qëlloi pas koke duke e lënë të vdekur në vend. Pse? Sepse i ishte dukur sikur polici e kishte ofenduar duke i bërë një gjest me dorë.
“Isha duke ikur nga qyteti në fshat. Kisha marrë makinën e dajës. Do shkoja te daja dhe do lija nënën time aty. Isha me shpejtësi dhe i shkëmbeva me policin, i cili po shkonte nga fshati në qytet. Gati sa nuk u përplasa me të dhe ai më bëri me shenjë që të ndaloja. Zbritëm nga makina dhe bëmë llafe. Ai më tha ku shkon me këtë shpejtësi dhe më ofendoi. Kur ma bëri me dorë mua mu duk sikur më shau. Unë u nxeha. Në momentin që u kthye nga makina unë nxora pistoletën dhe e qëllova me një plumb pas koke. Por nuk jam penduar,”-tha Mërnica para hetuesve.
Por nuk u arratis dot menjëherë për shkak se kishte edhe të ëmën në makinë. Ndaj shkoi njëherë tek shtëpia e dajës, la atje të ëmën dhe u fsheh nëpër kanale. Për shkak se kishte dy ditë pa ngrënë dhe për këtë arsye shkoi tek shtëpia e dajës së tij.
“Pastaj ika te daja dhe lashë makinën aty. Më pas u largova në këmbë në kanale. Kam lëvizur në këto kanale për 48 orë duke u fshehur. Po në hahej dhe bukë pasi kisha dy ditë pa ngrënë. Ika te shpia e dajës dhe këta kishin njoftuar policinë sepse kishin frikë se po më vriste RENEA. Pastaj më morën policët dhe më çuan në drejtori,”- është shprehur më tej 23-vjeçari.
Tani, Azgan Mërnica akuzohet për vrasje të punonjësit të policisë dhe armëmbajtje pa leje./ZËRI